“Nuk jemi as në nivelin e Kosovës”, Basha: Qeveria të bëj transparente planin që nxjerr vendin nga karantina

schedule19:05 - 16 Prill, 2020

schedule 19:05 - 16 Prill, 2020

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një bashkëbisedim me gazetarët ditën e sotme deklaroi se të gjithë janë duke bërë analiza mbi fakte gjysmake pasi nuk raportohen shifra të sakta dhe nga ana e qeverisë nuk thuhet e vërteta.

Sipas kreut të PD vendi ka nevojë për një plan të mirëmenduar për të kaluar me sukses kapërcimin e krizës ekonomike dhe daljen nga karantina.

Basha bëri thirrje qeverisë që të bëj transparente dhe publik planin që ka hartuar qeveria për situatën dhe se duhet të rrisë ndihmën financiare për njerëzit dhe fondin e emergjencës.

“Qeveria ka marrë një sërë masash por nuk ka një plan as për daljen nga kriza as për përballjen me sukses të plotë të pasojave të krizës, akoma nuk e dimë nëse qeveria ka një plan të tillë, nëse ka një plan të ri për daljen nga karantina, për sistemin shëndetësor, për testimet, për periudhën e tranzicionit derisa të gjendet vaksina.

Nëse e ka i përsëris thirrjen për herë të dytë brenda 24 orëve ta bëj atë publik. Transparenca mbetet problem, të gjithë përpiqemi të analizojmë mbi fakte gjysmake sepse nuk thuhet e vërteta,  ka një frikë nga shifrat ka një frikë nga e vërteta. Vendi ka nevojë për një plan dhe strategji që do ti mundësojë njerëzit të kapërcejnë gjendjen e vështirë ekonomike dhe njerëzit ti kthehen normalitetit. Pa planin e duhur njerëzit do të vazhdojnë për një kohë të gjatë në këtë situatë dhe ekonomia do të vazhdojë të fundoset.

I kërkoj kryeministrit të rrisë ndihmë financiare për njerëzit të ndryshojë buxhetin dhe të rrisë fondin e emergjencës sepse akoma nuk jemi as në nivelin e Kosovës, koha nuk pret!“, tha Basha./abcnews.al