EKSKLUZIVE/ Superiorja si Premier League? Zbuloni çfarë mendojnë 10 trajnerët

schedule13:20 - 16 Prill, 2020

schedule 13:20 - 16 Prill, 2020

Akoma nuk ka një datë kur Superiorja do të rikthehet, por nëse ndodh që pjesa tjetër e kampionatit të zhvillohet, atëherë futbollistët do të duhet të përgatiten për ndeshje çdo tre ditë. Sigurisht do të jetë një garë shumë impenjative, duke ditur që ata do të kenë një përgatitje fizike jo optimale. Në këtë mes përfitojnë më së shumti ato klube që kanë një organikë më të plotë dhe do të mund të bëjnë rotacion.

Një mënyrë për t’i ndihmuar klubet është edhe ndryshimi i rregullores. Në Angli, trajnerët propozojnë që deri në fund të sezonit të lejohen pesë zëvendësime, çka i ndihmon ata të ruajnë lojtarët nga lodhja e tepërt dhe dëmtimet që, në një situatë me ndeshje të shumta dhe pa përgatitjen e duhur fizike, do të jenë më të shumta. Abcnews.al ka bërë një sondazh me trajnerët e Superiores në lidhje me një ndryshim të tillë edhe ne Superiore.

Shumica e trajnerëve janë dakord që të bëhet një ndryshim i rregullores, duke lejuar 5 zëvendësime, nga tre që lejohen aktualisht. Ilir Daja, se bashku me stafin e tij, mendon se gara duhet të vijojë me të njëjtat rregulla, kurse tekniku i Bylisit, Veljko Dovedan, nuk e sheh si një problem. Armando Cungu, i Laçit, e shikon në këndvështrim tjetër, kurse për Edi Martinin, kampionati as që duhet të vazhdojë më, e jo më të flitet për 3 apo 5 zëvendësime. Adolfo Sormani, jo vetëm që është pro, por ka edhe një propozim tjetër.

 

EMANUEL EGBO (TRAJNERI I TIRANËS) – Nigeriani, i cili po drejton me sukses bardheblutë që kryesojnë kampionatin, e shikon si diçka pozitive shtimin e numrit të zëvendësimeve: “Mendoj që do jetë diçka e mirë, sidomos për lojtarët dhe për klubet. Kjo pasi nuk do jetë e lehtë për lojtarët të luajnë ndeshje çdo 3-4 ditë pushim, deri në fund të kampionatit. Mund të ketë shumë dëmtime për lojtarët, duke i zhvilluar ndeshjet brenda pak ditësh”.

ORGES SHEHI (TRAJNERI I KUKËSIT) – Trajneri skuadrës verilindore e shikon si një ndihmë të madhe për trajnerët nëse rregullorja do ndryshonte: “Është ide shumë e mirë, duke pasur parasysh qe do luajmë me kalendar të ngjeshur. Ne si trajnerë do na jepte mundësinë të menaxhojmë energjitë e lojtarëve, për të përballuar intensitetin. Nëse është e mundur të ndryshohet rregullorja, për këto ndeshje të mbetura, do të ishte ideale”.

ARMANDO CUNGU  (TRAJNERI I LAÇIT)  – Shkodrani i Laçit ka këndvështrimin e tij dhe më së shumti flet për garën, që tashmë e ka humbur kuptimin, sikur po zhvillohen dy kampionate brenda një sezoni. “Kam dëgjuar për propozimin në Angli, por jemi realitete krejtësisht të ndryshme. Mendimi im i sinqertë është që kampionati, për deri në momentin që është luajtur, ka prodhuar atë që skuadrat kanë dhënë në fushë. Pjesës tjetër mund t’i them futboll halli, eja luajmë se duhet mbaruar. Edhe nëse na jepen 50 zëvendësime, ne nuk është se kemi çfarë bëjmë, duke parë edhe kalendarët që na janë propozuar, me nga tre ndeshje në javë.

Gjatë kësaj periudhe ka pasur lojtarë që janë stërvitur në shtëpi, disa të tjerë në oborre, ose nga ata që nuk kanë pasur mundësit e të pasurit një oborr. Për të patur një garë të barabartë, do të duhej një fazë normale, ku ekipet përgatiten në kushte normale dhe kur vjen gara (kampionati) të marrin frytet e punës që kanë bërë. Sigurisht nuk mund të fajësojmë askënd për situatën e krijuar, por në momentin që skuadrat rinisin garën, vijnë në kushte të ndryshme dhe që aty ka pabarazi dhe normalisht rezultatet nuk do jenë një vazhdimësi e asaj që ekipet po jepnin deri në momentin që kampionati u ndal.

ILIR DAJA  (TRAJNERI I SKËNDERBEUT)  – Trajneri i Skënderbeut, në momentin që u pyet kërkoi kohë. Qartazi donte që të jepte një mendim të përbashkët me stafin e tij dhe u tregua i drejtpërdrejtë. “E diskutuam me stafin dhe në mënyrë kolegjiale mendojmë që, kur të nisë kampionati, të ruhen të njëjtat rregulla të vendosura që në fillim”,  u shpreh shkurtimisht trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja.

EDI MARTINI  (TRAJNERI I TEUTËS) – Kreu i pankinës së skuadrës durrsake as që mendon për pjesën e zëvendësimeve, pasi thekson se kampionati duhet të ndalet.Për mendimin tim, kampionati duhet ndërprerë për shkak se situata po bëhet përditë e më dramatike, të paktën në qytetin e Shkodrës. Mendoj se kështu është edhe nëpër qytetet e tjera. Këtu bëhet fjalë për jetë njerëzish dhe sportistët janë njerëz. Nuk duhet të rrezikojmë jetën e tyre. Vendet që kanë një kontroll dhe rregulla strikte po diskutojnë si të bëjnë, ta zhvillojnë apo jo kampionatin”.

ADOLFO SORMANI  (TRAJNERI I PARTIZANIT)  – Italiani i të kuqve tregon se një propozim të tillë e ka bërë, madje ka kërkuar që edhe kartonët e verdhë të zerohen. Sormani shprehet kështu: “Mund t’ju them se më shumë se dy javë më parë, FSHF na ka dërguar një propozim për kalendarët e mundshëm, në rast të rikthimit të kampionatit. Bëhet fjalë për 6 mundësi, që varen nga data për të cilën qeveria do të japë ‘OK’-in që të dalim në stërvitje.

U kërkua që edhe klubet të jepnin një mendim dhe unë propozova të paktën edhe dy zëvendësime të tjera, sepse futbollistët do të kenë pak kohë për t’u përgatitur pas një ndalese shumë të gjatë.  Siç e shikoni, unë e kisha parashikuar këtë që ka sugjeruar Ranieri së fundmi në Itali. Jo vetëm kaq, edhe kam shkruar në atë dokument që, për mendimin tim, duke parë numrin e ndeshjeve kaq të përafërta, duhen anuluar kartonët e verdhë, sepse ato do e rëndonin shumë situatën me gjithë numrin e lojtarëve që rrezikojnë pezullimin në çdo ekip”.

VELJKO DOVEDAN  (TRAJNERI I BYLISIT) – Tekniku i skuadrës nga Mallakastra nuk e sheh aspak problem. Në fakt, presidenti Besnik Kapllanaj i ka vënë në dispozicion një grup të zgjedhur me futbollistë dhe Dovedan mendon kështu: “Për skuadrat serioze, numri i zëvendësimeve nuk luan një rol të rëndësishëm”.

MIRSAD JONUZ (TRAJNERI I VLLAZNISË) – Timonieri i shkodranëve bën pjesë në grupin e trajnerëve që mirëpret një ndryshim të rregullores, pasi do t’i ndihmonte trajnerët e Superiores gjatë pjesës së mbetur të kampionat. “Do të ishte diçka e mirë, sepse kjo periudhë e vështirë dhe pa stërvitjen e duhur, do të ketë ndikimin e vet. Nëse do të kishte 5 zëvendësime, atëherë do të ishte një plus për ne trajnerët”.

NERITAN NOVI (TRAJNERI I LUFTËTARIT) – Gjirokastriti e përkrah idenë që në vazhdim të lejohen pesë zëvendësime. Vetëm për këtë sezon që është ndërprerë. Po duke parë se si po shkon situata me COVID-19, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën jam plotësisht dakord që të ndryshoj rregullorja dhe të lejohen 5 zëvendësime deri në fund të këtij sezoni”,deklaron Neritan Novi, trajneri i Luftëtarit.

MARCELO TROISI (TRAJNERI I FLAMURTARIT) – Braziliani i vlonjatëve mendon se do ishte interesante të bëhej një ndryshim në rregullore për numrin e zëvendësimeve. “Do të ishte mirë që të ktheheshim sa më shpejt të punojmë me skuadrën. Absolutisht do të jetë problem gjendja fizike e futbollistëve, që gjatë kësaj periudhe nuk kanë mundur të stërviten normalisht. Do të ishte interesante të kishte pesë zëvendësime. Personalisht do të doja të ndodhte diçka e tillë. Për ne trajnerët do të ishte diçka që do na ndihmonte në punën tonë”. /VLADIMIR PRENGA – abcnews.al