Ish-futbollisti i Shqipërisë, tashmë trajner i Mouscron në Belgjikë, Rudi Vata, ka folur për disa tema në emisionin Fan Zone në Supersport. Vata foli fillimisht për të ardhmen e tij personale dhe për kampionatin në Belgjikë, ndërsa në fund foli edhe për të ardhmen e djalitë të tij.
Përfundimi i kampionatit në Belgjikë: “Faktikisht, kampionati është i mbyllur, mendoj se ishte vendimi i duhur. Ka pasur disa zhvillime në lidhje me licencimin e klubeve. Skuadra ku unë punoj nuk është licencuar. Është e pakuptimtë që futbollistët të kthehen dhe ta vazhdojnë kampionatin në qershor ose në korrik”.
E ardhmja te Mouscron: “I shoh të gjitha opsionet. E mendoj edhe largimin, por edhe qëndrimin. Të shoh ç’do të ndodhë në bisedat që do të kemi. Ne kemi objektiv për të qenë në 6 më të mirat në kampionat, por të shohim, pasi duhet shumë punë. Nuk kam piketuar asnjë lojtar nga Kategoria Superiore, pasi kushtojnë shumë për klubin tonë”.
Zgjedhja e djalit të tij: “Djali im është shumë i talentuar, por ende nuk ka arritur në atë fazë që të themi për cilën kombëtare do të luajë. Unë kam dhënë shumë për Kombëtaren, por në Shqipëri nuk më kanë vlerësuar. Mendoj se djali im nuk do të përshtatej me njerëzit e futbollit në Shqipëri, sepse nuk e duan figurën time aty.”/abcnews.al