Grizman është kërcënimi më i madh për Barcelonën

schedule13:58 - 1 Mars, 2018

schedule 13:58 - 1 Mars, 2018

Atletiko e Madridit është pretendente për titull në Spanjë, falë formës shumë të mirë të sulmuesit Grizman. Francezi është shpresa e tifozëve për ndeshjen e madhe të fundjavës, në fushën e Barcelonës.

E pabesueshme sesa shumë ka ndryshuar ky futbollist.

Antuan Grizman është shndërruar nga një lojtar në krizë të plotë, në shpresën më të madhe të Atletikos së Madridit, vetëm pak ditë përpara supersfidës në “Kamp Nou”.

Sulmuesi francez shënoi katër gola në përballjen e fundit, atë në “Uanda Metropolitana” ndaj Leganjesit, ndërsa ka bërë diçka të rrallë në tri ditët e fundit.

Bashkë me tri rrjetat e realizuara ndaj Seviljes, në fushën e kësaj të fundit, ai ka 7 goditje në shenjë në dy përballjet e fundit të La Ligës, diçka që edhe Mesi apo Ronaldo do ta kishin zili.

Transformimi i madh i Grizmanit shkon krah për krah me rritjen e pandalshme të Atletikos së trajnerit Diego Pablo Simeone.

Skuadra e cilësuar si numri 2 në Madrid, është sot numri 1 si dhe pretendente për titull, edhe ndaj një Barcelone që duket e paprekshme.

Dështimet në Champions dhe në Kupën e Mbretit janë lënë pas, dhe madje ishin diçka normale për një ekip me potencial financiar shumë më të vogël sesa Reali e Barça.

Trajneri Simeone, i mbiquajtur “Çolo”, “i çmenduri”, nuk ka dëshirë të flasë vetëm për një lojtar, sado I mirë qoftë ai, por për gjithë ekipin.

Grizman: “Po kënaqem me futbollin që po luaj dhe jam shumë i lumtur këtu tek Atletiko. Edhe familja ime është e lumtur në Madrid, dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Vajza ime sapo ka filluar shkollën. Mund të them se po përmirësohem, por ende kam shumë për të mësuar nga trajneri dhe nga shokët e skuadrës. Shpresojmë të qendrojmë sa më pranë Barcelonës në renditje”

Grizman ka sjellë edhe lumturi, por edhe tronditje për tifozët këtë sezon, pasi është përfolur një largim i tij i mundshëm.

Vetë sulmuesi nuk ka dëshirë të komentojë për këtë.

Simeone: “Skuadra është në formë shumë të mirë, por ende duhet të jemi të përqëndruar që të përmirësohemi edhe më shumë. Mendoj se këtë herë luajtëm më mirë edhe sesa ndaj Seviljes, dhe kjo flet shumë për gjendjen tonë. Tani, duhet që të përgatisim siç duhet ndeshjen ndaj Barcelonës, një ekipi që ka fituar gjithçka dhe nuk ka humbur asnjë takim. Një sfidë e mrekullueshme”.

Lajmet janë, megjithatë, se francezi do të largohet, pasi mediat raportojnë se Barcelona ka rënë dakord të paguajë klauzolën e shitjes në kontratën e tij, prej 100 milionë eurosh.

Gjithsesi, tifozët për momentin janë në qiellin e shtatë.

Të dielën është supersfida ndaj Barcelonës në “Kamp Nou”, duel që mund të vendosë shumë për fatin e titullit, dhe ata kanë besim se me një Grizman kaq në formë, Atletiko mund t’ia dalë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!