Bashkimi Europian ka alokuar 100 milionë euro për Shqipërinë, për rindërtimin e banesave të shembura nga tërmeti i 26 nëntorit, pas rishikimit të buxhetit për vitin 2020.
Lajmi është bërë i ditur nga ambasadori i BE në Shqipëri Luigi Soreca. Ai thotë se premtimi mbahet dhe dorëzohet, ndërsa shton se BE qëndron pranë Shqipërisë.
“Sot Këshilli i Europës ka ndryshuar buxhetin e vitit 2020 për të ofruar mbështetje shtesë urgjentisht aty ky është e nevojshme.
Kjo përfshin edhe 100 mln eurot e premtuara nga Komisioni Europian në shkurt për të mbështetur rindërtimin pas tërmetit në Shqipëri. Premtimi mbahet dhe dorëzohet! Bashkimi Europian qëndron pranë Shqipërisë”, shkruan Soreca.
Lidhur me këtë fakt ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama i cili thotë se pavarësish halleve për përballimin e kësaj pandemie, BE i qëndroi angazhimit të 17 shkurtit në Konferencën e Donatorëve në Bruksel.
“Një lajm i mirë që pavarësisht hallit të madh të përballimit të pasojave të kësaj lufte botërore, BE i qëndroi angazhimit të 17 shkurtit në Bruksel dhe 100 milionë € e premtuar nga komisioni europian për rindërtimin, u alokuan në buxhetin e rishikuar të BE 2020”, shkruan Rama./Abcnews.al