Deputeti i Bindjes Demokratike, Andi Përmeti në një intervistë për “ABC News” ka folur për ndryshimet në Kodin Penal për shkak të situatës nga koronavirusi.
Përmeti, tha për gazetarin Endri Xhafo se është dakord për masat e vendosura për parandalimin e COVID-19, por theksoi se masa e dënimit me burg është e tepërt.
“Kundërshtia ime është te dënimi me burg, nuk jam për mosrespektim të rregullave. Cilido person që e shkel masën, qoftë një person nga familjet në nevojë që ka dalë pa leje mbase sepse nuk ka një smartpfone do të arrestohet.
Për çdo vepër penale që mban dënim maksimal, personi domosdoshmërisht duhet të arrestohet dhe të paktën të dalë për masë sigurie.
Pra, cilido person do të shkojë 3 ditë në burg. Më pas do të mbetet në vlerësim të Prokurorisë dhe të Gjykatës, këtë duam të shmangim.
Personat zyrtarisht të infektuar nëse shkelin karantinën të dënohen me burg”, u shpreh Përmeti.
Më tej ai theksoi se kjo ndërhyrje në Kodin Penal nuk duhet të realizohej.
Sipas tij jo çdo kush do të bëjë burg, çdokush do të arrestohet, do të ndalohet dhe do të dalë para Gjykatës. “Zgjidhja do të ishte të hiqet personi jo i infektuar dhe çdo person jo i infektuar të dënohet me masë administrative gjobë dhe dënimi të lihet për persona zyrtarisht të infektuar.
Qeveria ka një ligj shumë të mirë, masat po zbatohen, por kjo ndërhyrje në Kodin Penal nuk duhet të bëhej. Kuvendi ka juristë shumë të mirë qoftë edhe nga mazhoranca, por përse duhet një ligj që dënon njësoj si një vrasje me dashje të vijë nga një mjeke. Të mos e çojmë pensionistin apo hallexhiun deri në burg. Ky është një ligj diktatorial”, u shpreh Përmeti.
Gjithashtu ai shpreh se ligji nëse kalo me procedurë të përshpejtuar do të kthehet nga Presidenti dhe do të vendoset kur pandemia të ketë mbaruar. Ky ligj nuk duhet fare. Kundërshtitë e mia për dënimin me burg, është i papranueshëm për këtë rast./abcnews.al