“15 vjet burg kush thyen karantinën”, zbardhen qëndrimet e opozitës parlamentare për ndryshimet e Kodit Penal

schedule12:19 - 13 Prill, 2020

schedule 12:19 - 13 Prill, 2020

Të enjten më 16 prill do të mblidhet seanca plenare për të diskutuar ndryshimet në Kodin Penal të propozuara nga qeveria. Gazetarja Esiona Konomi raporton për Abc News se deputetët e opozitës së re nuk bien dakord për ndryshimet e propozuara, ku parashikohet 15 vite burg për këdo që shkel karantinën.

Gazetarja ka zhvilluar intervista online me kryetaren e grupin parlamentar demokrat, Rudina Hajdarin, me Ralf Gjonin nga grupi i deputetëve të ardhur nga LSI, me Andi Përmetin nga grupi i deputetëve të pavarur dhe Alban Zeneli, deputet i ardhur nga listat e PD.

Të katërt ata janë shprehur kundër masave të reja shtrënguese, kryesisht për ndryshimet në Kodin Penal ku parashikohet burgim deri në 15 vite, për ata që mund të thyejnë karantinën dhe të shkaktojnë infektimin e personave të tjerë.

Për këtë arsye deputetët e opozitës, nuk bien dakord me këtë lloj ndryshimi, duke thënë se do të jetë i pazbatueshëm një ndryshim i tillë. Ata kanë apeluar se këto ndryshime mund të sjellin pasoja të tjera.

Të gjithë deputetët kanë thënë se nuk do i votojnë të enjten këto ndryshime në Kuvend dhe u kanë bërë thirrje edhe të tjerëve që të mos i votojnë.

Ndërkohë, PS ka 74 mandate dhe për të votuar ndryshimet në fjalë u duhen 84 vota. /abcnews.al