Shuma fshatra në qarkun e Elbasanit janë të izoluar nga bora, e cila ka arritur deri në dy metra. Probleme ka patur edhe me furnizimin e energjisë elektrike, kurse mësues dhe nxënës nuk kanë mundur të udhëtojnë drejt shkollave.
Bora ka nënshtruar Elbasanin. Reshjet e shumta kanë krijuar probleme në qarkullim. Rrugët nacionale kryesisht Qafë Thana mbahen në kontroll të vazhdueshëm me borëpastruese dhe kripë.
Rruga që lidh Librazhdin me Peshkopinë është i bllokuar. Të izoluar nga dëbora janë fshatrat e njësive administrative në Rrajcë, Lunik, Orenjë, Polis, Stëblevë, Stravaj, Qarrishtë, Sopot. Edhe në Lenie, Skëndërbegas, Poroçan e Kodovjat të bramshit mbretëron e njëjta situatë. Në fshatin Rovje trashësia e dëborës ka thyer çdo rekord duke arritur deri në 2 m. Në Elbasan ka probleme në akset që lidhin këtë qytet me njësitë administrative Gjinar, Zavalinë, Labinot Fushë dhe Funarin. Njësitë vendore po punojnë për të zhbllokuar këtë situatë, por e kanë të vështirë.
Mjaft mësues dhe nxënës e kanë pasur të pamundur të udhëtojnë për në shkolla. Bllokimi i rrugëve ka bërë që procesi mësimor të ndërpritet në dhjetra shkolla në shkallë qarku.
Stuhitë e dëborës kanë shembur shtylla dhe këputur përcjellësa duke lënë në errësirë shumë fshatra në Prrenjas, Elbasan, Librazhd e Gramsh. Grupet e punës po punojnë në terren, megjithatë bora nuk lejon çfarë nënkupton se këto fshatra do të qëndrojnë gjatë pa energji. Tashmë edhe baza ushqimore për bagëtinë është duke përfunduar dhe rrezikohen mbijetesa e tyre./abcnews.al
Gazetar i ABC News, Elbasan: Fatos Salliu