Vrasja e gazetarit në Sllovaki/Kryeministri 1 milionë euro për informacion

schedule12:52 - 28 Shkurt, 2018

schedule 12:52 - 28 Shkurt, 2018

Një milionë euro ofron qeveria sllovake, për atë që jep informacion lidhur me vrasjen e gazetarit investigativ Jan Kuciak. Këtë sasi parash, kryeministri sllovak e kishte vendosur në tavolinë, gjatë konferencës së tij për shtyp. Gazetari që u vra, po hetonte lidhjet mes politikës në Sllovaki, me mafian italiane.

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fivo ka ofruar 1 milionë euro shpërblim për këdo që jep informacione lidhur me vrasjen e një gazetari investigative. Jan Kuciak, 27 vjeç dhe partnerja e tij Martina Kusnirova u qëlluan për vdekje me armë zjarri në shtëpinë e tyre. Të dy viktima janë gjetur të dielën me vetëm një plagë në trup. Disa gazeta në Sllovaki kanë printuar artikullin e fundit të Kuciak, i cili lidh mafian italiane me nivelin e lartë të korrupsionit politik.

Fico mbajti një konferencë për shtyp, ku pranë tij qëndronin 1 milionë euro në një tavolinë, të cila qeveria i premton në këmbim të informacioneve që mund të çojnë në kapjen e autorëve të vrasjes. Ngjarja e tmerrshme ka shokuar Sllovakinë. Në vend kanë dalë spekullime rreth motivit të vrasjes misterioze.

Kolegët e Kuciak thonë se autoritet nuk duhet të shkojnë më larg se artikulli i tij i fundit. Në një shkrim të papërfunduar, ai hedh dyshime se disa biznesmenë në lindje të Sllovakisë, të cilët kanë lidhje me mafian Italian Ndrangheta, po përvetësojnë fondet struturore të Bashkimit Europian. Kuciak pretendonte se ata kanë lidhje me klasën politike të vendit.

Sipas raportimeve të mediave të Sllovakisë, Maria Toroskova, një këshilltare e lartë e kryeministrit Fico, është mes personave që janë përfshirë në hetime. Megjithatë shefi I qeverisë kërkoi që të mos lidhen njerëz të pafajshëm pa ndonjë provë. Gjithashtu Fico u ankua për abuzimin politik me tragjedinë pasi opozita mbajti një konferencë duke lidhur partinë qeveritare “Smer” me vrasjen e gazetarit. Ndërkohë, lidhur me ngjarjen policia sllovake ka marrë në pyetje 20 persona që prej të hënës, si dhe ka kontaktuar Italinë dhe Republikën Çeke lidhur me hetimet. Pista kryesore, sipas policisë, është ajo që lidhet me aktivitetin investigative të Kuciak. /abcnews.al