Ndërkohë që rastet me Covid-19 po shtohen në Britaninë e Madhe, trajneri i Tottenham, Jose Mourinho, po vazhdon stërvitjen me disa nga lojtarët e tij. Në rrjetet sociale kanë dalë disa pamje nga seanca, ku sigurisht nuk mungojnë kritikat ndaj portugezit.
Ish-trajneri i Chelseas dhe Manchester United ka zgjedhur një nga parqet e Londrës për të kryer seancën stërvitore. Në pamjet e publikuara dallohen Davinson Sanchez, Ryan Sessegnon dhe Serge Aurier. Ish-trajneri i “Gjelave”, Harry Redknapp, sot në mëngjes për veprimin e “Special One”, dha mendimin e tij.
“Mendoj se ata të gjithë jetojnë afër parkut dhe kanë bërë një seancë të shkurtër. Gjithsesi, që kjo situatë të kalojë, duhet që të gjithë t’i respektojmë rregullat. Duhet të mbajmë distancën dhe të ndjekim udhëzimet e qeverisë”, deklaron anglezi.
Spurs players train ground Hadley common pic.twitter.com/rWjBi596C6
— Mike (@Mikalisyid) April 7, 2020
Edhe numri një i Londrës, Sadiq Khan, është kundër asaj që Tottenham ka bërë. Për BBC Breakfast ai deklaroi: “Problemi është se të tjerët ndjekin shembujt e idhujve, kryesisht fëmijët, të cilët mund të mbështesin skuadrën e Tottenham ose janë ndjekës të futbollit. Kur ata shohin fotot mendojnë: ‘Nëse është mirë për ata, pse nuk është mirë për ne’. Prandaj është shumë e rëndësishme që të ndiqen udhëzimet, nga të gjithë ne.
Ja, ne po e bëjmë intervistën me Skype, jo më kot. Unë nuk e kam lënë shtëpinë prej tre javësh, për të treguar se është e mundur të punosh nga shtëpia. Pyetja që unë do të bëj, me mirësjellje, a është me të vërtetë e nevojshme ajo që bëjnë? Përgjigja është jo. Nuk është e nevojshme të stërviteni afër një lojtari tjetër, që ndoshta e ka virusin. Ajo që po bëni është përhapja pa dashje e virusit. Kjo nuk duhet bërë”.
Gazetari i njohur, Piers Morgan, nuk u kursye në Good Morning Britain:“Kam frikë se kemi shumë idiotë. Çfarë po mendoje Jose? Çfarë po mendonit lojtarë? Tottenhami falë pronarit të tyre i ka lënë pushim stafin, por çfarë ndodhi. Shikojmë trajnerin dhe disa lojtarë që bëjnë një seance jo zyrtare dhe nuk dënohet nga klubi”.
Një reagim pati dhe mjeku Hilary Jones, i cili u shpreh: “Ai jep mesazhin e gabuar te njerëzit, të cilëve duhet t’u kujtojmë vazhdimisht cilat janë udhëzimet. Ka shumë arsye pse i japim ato udhëzime dhe nëse njerëzit i ndjekin, atëherë herë do të shpëtojmw jetë dhe do të mbrojmë punonjësit e NHS”, mbyll mjeku. /abcnews.al