Guardiola ia del edhe në Angli, fiton trofeun e parë

schedule15:20 - 26 Shkurt, 2018

schedule 15:20 - 26 Shkurt, 2018

Pep Guardiola ia doli më në fund të fitonte një trofe të Angli. Trajneri katalanas mori Kupën e Ligës, pas fitores së thellë të Mançester Sitit ndaj Arsenalit.

Nuk ishte hera e parë për këtë klub, por ishte për trajnerin e tij.

Pep Guardiola, edhe pse ka fituar gjithçka me Barcelonën, dhe thuajse çdo gjë me Bajernin, sërish ishte rishtar në Angli.

Katalanasi e mori një kupë angleze, pikërisht atë të Ligës, ndërsa shpreson që trofetë e tjerë të vijnë dhe të jenë edhe më të rëndësishëm.

Mançester Siti triumfoi 3-0 në finalen e luajtur në “Uembli” të Londrës ndaj Arsenalit, rezultat që tregon një epërsi të thellë, edhe pse nuk ishte aspak e lehtë në pjesën e parë.

Kun Aguero kaloi Sitin në epërsi përpara pushimit, ndërsa kapiteni Vinsent Kompani dhe spanjolli David Silva realizuan në pjesën e dytë.

Pep Guardiola: “Padyshim që jam i lumtur sepse ne fituam titullin. Pjesa e parë nuk ishte e mirë, nuk luajtëm siç duhet pasi ndjemë presionin pas asaj që ndodhi vjet, por unë fola me lojtarët në pushim. U kërkova të tregonin veten se çfarë mund të bënin dhe ata patën një reagim të madh. Dua të falenderoj këdo tek Mançester Siti, që nga presidenti, e deri tek tifozi më i thjeshtë, dhe shpresoj që ky sukses të na ndihmojë edhe më shumë për të fituar Premier Ligën”.

Guardiola u ngacmua për kordelen e verdhë të vendosur për pavarësinë e Katalonjës dhe për lirimin e politikanëve katalanas të burgosur në Spanjë, diçka që Federata Angleze mund ta ndëshkojë.

Pep Guardiola: “E pranoj që nëse kam shkelur rregullat, duhet të gjobitem. Pranoj gjithçka, por unë jam qenie njerëzore dhe kjo ka të bëjë me çështje njerëzore. Në Katalonjë janë katër njerëz në burg, është edhe një tjetër që mund të burgoset nëse kthehet, pasi akuzohet për rebelim. Që ta bësh këtë duhen armë, ndërsa ne nuk kemi armë”.

Një nga lojtarët më të mirë të skuadrës, Kevin De Brujn, e vlerëson kështu suksesin.

Kevin De Brujn: “Kur fiton titullin e parë të sezonit mund të jesht thjesht i lumtur. Kjo pritet të na japë moral për vazhdimin e edicionit. Jemi paraqitur shumë mirë deri tani, ndërsa ia dolëm të fitonim trofeun e parë. Nuk ishte një nga ndeshjet tona më të mira të vitit, sidomos në pjesën e parë, por pas pushimit luajtëm krejt ndryshe dhe mendoj se e merituam”.

Mançester Siti ka provuar vetëm një dështim këtë sezon, pikërisht eleminimin e papritur në Kupën e Anglisë, nga Uigani i kategorisë së tretë, por mbetet në pretendime për të fituar gjithçka tjetër.

Titulli kampion është shumë pranë me kryesimin me shkëputje në Premier, ndërsa kalimi në çerekfinalen e Championsit është praktikisht i siguruar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!