Ministria e Shëndetësisë në një njoftim për median bën me dije se 61 vjecari, Kurti ka ndërruar jetë sot në spitalin Infektiv.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë ditët e fundit Ish-trajneri i boksit ka qenë i intubuar dhe vuante dhe nga hiper tensioni.
Ai ka qenë i shtruar tek Infektivi prej 20 ditësh.
Kurti u raportua nga Ministria e Shëndetësisë, si viktima e pestë nga Koronavirusi në Shqipëri me datë 23 mars, por ajo korigjoi njoftimin e saj menjëherë më pas, ku sqaroi se kishte pësuar vdekje klinike dhe ishte duke luftuar ende për jetën.
Më herët gjatë ditës së sotme edhe ish-Deputeti i PD-së, Edi Paloka, shkroi në profilin e tij zyrtar në Facebook:
“Të qoftë dheu i lehtë Ner Kurti! Nuk arrij ta besoj që këtë herë nuk ja dole!”.
Skënder Kurti , përveç se një trajner tepër i përkushtuar dhe i suksesshëm, ka qënë gjithashtu edhe boksier kampion me ekipin e Tiranës.
Ai ka luajtur me dhjetra ndeshje boksi brenda dhe jashtë vendit. Kurti cilësohej si një ndër boksjerët më të mirë në vend, në rininë e tij.
Për disa vite ka qënë zv.tranjer dhe më pas mori drejtimin e ekipit të boksit në Tiranë. Janë me dhjetra tituj që ka fituar brenda vendit si boksjer por edhe si tranjer.
Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë:
“Ndërron jetë 61 vjeçari me COVID19 në spitalin infektiv
Ka ndërruar jetë sot në spitalin infektiv 61-vjeçari me inicialet S.K., i shtruar prej 20 ditësh në spital, në gjendje të rëndë, i intubuar. Më herët 61-vjeçari nga Tirana pësoi vdekje klinike dhe prej disa ditësh gjendja e tij ishte rënduar së tepërmi.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve të Spitalit Infektiv në terapinë intensive, 61-vjeçari që vuante nga hipertensioni, nuk ia ka dalë të mbijetojë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit. Ministria e Shëndetësisë i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Është po kaq e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19”./abcnews.al