Një ditë më parë në Elbasan u konfirmua me COVID-19 një 62 vjeçar, po sot rezultatet e analizave nxorën pozitive dhe bashkëshorten e tij. Ndërsa dy djemtë e tyre pas testit të parë rezultuan negativë.
Siç raporton gazetari Aldo Kozarja për ABC News kjo është vatra më e re e të infektuarve me Covid 19 në qytetin e Elbasanit.
Në lagjen 11 nëntori aty ku çifti i bashkëshortëve ka rezultuar pozitiv në këto 24 orë mësohet se kontaktet që 62 vjeçari ka patur me klientë në dyqanin që tregton kanë qenë të shumta.
Të shtunën u konfirmua me Covid shitësi i mishit dhe të dielën bashkëshortja e tij. Tamponi ju është marrë dhe djemve të tij, por përgjigja e testit të parë të tyre ka rezultuar negative.
Burime të ABC News tregojnë se çifti i bashkëshortëve është vetëkarantinuar në banesë.
Gjendja shëndetësore e tyre është e mirë.
Ndërkaq strukturat shëndetësore po gjurmojnë kontaktet e kësaj familjeje, që mendohet se, vetëm në dyqanin e mishit të kenë qarkulluar këto ditë rreth 50 konsumatorë.
Elbasani deri më tani rezulton me 10 persona të infektuar nga virusi i ri./abcnews.al