Juventusi po mendon të largojë dy futbollistë në verë. Sigurisht edhe të përfitojë në aspektin financiar, pasi janë lojtarë nën kontratë dhe për ta ka interesim nga klube të tjera. Në një periudhë si kjo, do të ishte e rëndësishme që arkat të ishin të shëndetshme.
Douglas Costa është njëri prej lojtarëve që pritet të largohet nga Torino dhe arsyeja janë dëmtimet e shpeshta të anësorit brazilian, i cili këtë sezon ka luajtur vetëm 6 ndeshje si titullar në Serie A, nga 14 në total.
Lojtari tjetër me valixhe në duar është Federico Bernardeschi. I blerë për një shumë të konsiderueshme te Fiorentina, te Juventusi mendojnë se mesfushori nuk është rritur sa duhet gjatë këtyre tre viteve, ndaj edhe shitja në verë shikohet si opsioni më i mirë për të dyja palët.
Juventusi nuk punon vetëm në dalje, pasi në listën e dëshirave është një mesfushor 20-vjeçar që luan në La Liga. Ferran Torres, pjesë e Valencia, pëlqehet nga bardhezinjtë. I riu ka luajtur rregullisht këtë sezon, 20 takime si titullar, dhe ka shënuar katër gola, duke bërë që për të të ketë interes nga disa klube. /abcnews.al