“Loti i burrit më i rëndë se guri”, Deni nga Korça kërkon pak qumësht për dy vogëlushet

schedule17:12 - 2 Prill, 2020

schedule 17:12 - 2 Prill, 2020

Loti i burrit më i rëndë se guri. Ndjehet i pashpresë që nuk ka asnjë mundësi t’u ofrojë kushtet më minimale dy të vogëluesheve të tij.

Skamja është ulur këmbëkryq në familjen Manoku që jeton në Orman të Korçës. Deni kërkoi ndihmë në ABC News vetëm për të siguruar pak qumësht dhe bebelina për fëmijët. Kaq modeste ishte kërkesa e tij dhe gazetarja Ledjona Xheladinaj ju gjend menjëherë dhe pa nga afër sesi një njeri dinjitoz që dikur kishte punuar në emigracion tani ka rëndë në kthetrat e mjerimit.

Deni lufton me të gjitha mënyrat që vajzat e tij dhe të Erandës të kenë dicka për të mbajtur frymën gjallë.

“Vajzat e pa qumësht e pa gjë janë. S’ka asgjë, çfarë t’i bëj. Vete torturohem ku të gjej ndonjë lugë qumësht për vajzat. Vajta i mora një shoku 20 mijë leka borxh dhe bleva një pako bebelina për fëmijët,” thotë Deni.

Nëna e dy të miturave është fjalë pak, por ajo i peshon siç peshon çdo fjalë nëne:

“Fëmijët më qajnë për bukë. Ndonjë herë i vejm dhe pa bukë në gjumë. Fasule hajm. I vejmë atje të ziejnë. Vaj s’kemi, me ujë ashtu, pa salcë pa gjë.”

Deni është vetëm 31 vjeç, ka zanat, por nuk gjen punë. Edhe kur punonte si hamall në të zezë nuk e kishte për turp, por izolim nga koronairusi i ka mbyllur çdo mundësi.

Babai i dy fëmijëve shpjegon më tej:

“Gjithmonë kam punuar. Edhe tani rashë ngushtë. Vetëm lagja që më ka ndihmuar ndonjë herë, që i ndihmoj për punë. Ngarkoj makina, ngarkoj të tëra dhe asgjë hiç.. Zanat kam po s’ka punë. Edhe nuk lejohet që të dalim në punë. Se tani siç ka ardhur kjo kriza e këtillë, kjo sëmundje, nuk dimë si t’ia bëjmë.”

Dy prindërit janë të trishtuar dhe në udhëkryq ndaj bëjnë një apel që të paktën në këto ditë të vështira dikush ju vijë sadopak në ndihmë. Jo për veten e tyre, por për vajzat.

Vajzat nuk e dinë që frigoriferi shërben për të mbajtur sa më shumë ushqime dhe teksa prindërit e saj tregojnë se ushqehen keq, 2-vjecarja instiktivisht pa e kuptuar duartroket sikur i inkurakojn për ndihmën që po kërkojnë.

“Edhe gjumi nuk më zë natën”, thotë Deni.

Abc News ishte e para që ofroi disa ndihma modeste për nevojat që ata artikuluan por mesa duket nga pamjet, kjo familje ka nevojë për shumë më shumë. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!