Vetëm një ditë pas miratimit në OKB është shkelur armëpushimi në Siri nga ushtria e presidentit Assad. Avionët e regjimit kanë rifilluar përsëri bombardimet në Gutën Lindore. Ndërkohë, rebelët që kontrollojnë zonën janë zotuar të respektojnë armëpushimin.
Regjimi sirian ka rifilluar bombardimin e pjesës lindore të Gutës, një kështjellë rebele, pavarësisht armëpushimit tridhjetë-ditor të miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB. Alarmi është dhënë nga Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, sipas të cilit rrethinat e Doumës, qyteti kryesor në zonë, janë bombarduar të paktën dy herë. OJQ-ja gjithashtu raporton përplasjen mes grupimit rebel “Jaik al-Islam” dhe forcave të regjimit të presidentit Bashar Al-Assad.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u bëri thirrje të gjitha palëve të lejojnë “dorëzimin e menjëhershëm të rezervave humanitare”. Të mërkurën e kaluar, duke folur në Këshillin e Sigurisë, shefi i OKB-së kishte përcaktuar gjendjen në Gutën Lindore si “një ferr në tokë”.
Dy grupet kryesore të rebelëve që kontrollojnë Gutën Lindore kanë njoftuar se do të respektojnë armëpushimin. Në një deklaratë grupi islamik “Jaich al-Islam” është angazhuar “për mbrojtjen e autokolonave humanitare për të hyrë në zonë dhe rezervon të drejtën për t’iu përgjigjur menjëherë të gjitha shkeljeve të kryera nga forcat e regjimit”. Një grup rebel, “al-Rahmane Faylaq”, tha se ishte gati të “respektojë armëpushimin” dhe “të lehtësojë hyrjen e të gjitha ndihmave të OKB-së në Gutën lindore”. Gjithashtu nënvizon se ka të drejtë legjitime për mborjtje dhe paralajmëroi se do t’i përgjigjet çdo agresioni.
Ndërkohë, armëpushimi u votua në mënyrë unanime në Këshillin e Sigurisë së OKB-së. Vendimi erdhi pasi në Gutën Lindore humbën jetën mbi 400 civilë për shkak të sulmeve ajrore të regjimit të Assad. Mes viktimave ishin mbi 100 fëmijë./abcnews.al