Kishte 16 ditë në terapi intensive në infektivin e Tiranës, por nuk mundi të mbijetojë. 77 vjeçari nga Kavaja mbylli sytë i vetëm mbrëmjen e së martës.
Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se pacienti ndërroi jetë në mënyrë të papritur nga një infarkt miokardi. Përveç koronavirusit 77-vjeçari vuante nga disa sëmundje të tjera kronike.
Ndërkohë gazetari Leonidha Musaj tha për abcnews.al se 77-vjeçari është nga Komuna e Synej në Kavajë dhe ka humbur jetën në Spitalin e Infektivit.
“77-vjeçari është dërguar në Tiranë në datën 16 të këtij muaji, ai ka një histori udhëtimi në Itali.
Fillimisht ka kryer në vizitë në spitalin e qytetit të Kavajës dhe më pas është dërguar në Durrës. Në momentin që ka kryer testin për COVID-19 ka rezultuar pozitiv dhe është dërguar menjëherë në spitalin e Infektivit në Tiranë”, raportoi gazetari.
Gjatë kohës që ka qenë i karantinuar ka shfaqur probleme shëndetësore.
Ndërkohë familjarët pasi morën përgjigjen për infektimin e 77 vjeçarit u karantinuan. Pas bërjes së testit asnjëri prej tyre nuk rezultoi i prekur.