Argjentinë/Policia sekuestron 400 kg kokainë në ambasadën e Rusisë

schedule12:59 - 23 Shkurt, 2018

schedule 12:59 - 23 Shkurt, 2018

Policia e Argjentinës ka sekuestruar 400 kilogramë kokainë në godinën e ambasadës ruse. Vlera e sasië rekord të drogës shkon mbi 50 milionë euro. Në operacionin dhe hetimet që kanë zgjatur më shumë se një vit janë arrestuar disa persona, mes tyre dhe arkëtari i ambasadës ruse.

Në Argjentinë është regjistruar një rast i trafikut narkotik ndërkombëtar, në të cilin janë përfshirë dhe zyrtarë diplomatikë. Ambasada e Rusisë në Buenos Aires fshihte 400 kilogramë kokainë në 16 valixhe, një thesar droge sipas mediave vendase, që kap vlerën e mbi 50 milionë eurove. Ishte vetë përfaqësuesi diplomatik i Moskës, Viktor Koronelli, i cili në dhjetor të 2016 njoftoi autoritetet lokale duke i lajmëruar për prezencën e disa valixheve të dyshimta në godinë. Në momentin që policia i hapi ato, zbuloi sasinë e madhe të drogës.

Këtu mori jetë një hetim që zgjati më shumë se një vit dhe dukej një skenar i denjë për filmat e hollivudit. Kokaina u shkëmbye me miell, gjurmuesit satelitor u vendosën në ngarkesë dhe forcat e sigurisë të të dy vendeve kanë pritur me durim që trafikantët e drogës të bien në kurth. Në dhjetor të 2017, dërgesa më në fund arriti në Moskë me ndërlidhës diplomatik dhe tre persona u arrestuan. Dy të tjerë u arrestuan të enjten në Buenos Aires, kurse një i tretë i quajtur “Senor K”, u arratis për në Gjermani.

Një ndër të arrestuarit, i cili mendohet të jetë dhe koka e këtij rrjeti ndërkombëtar të trafikimit të drogës është arkëtari i Ambasadës Ruse në Argjentinë. Gjithashtu në rrjetin criminal është përfshirë edhe një zyrtar policie, i cili zotëronte 7 gjuhë, mes tyre dhe rusishten. Ministrja argjentinase e sigurisë, Patricia Mullrich, theksoi se ky ishte operacioni më i rëndësishëm i realizuar kundër botës së narkotrafikut. Pavarësisht se kokaina ishte sekuestruar në dhjetor të 2016, hetimet janë zhvilluar në mënyrë sekrete dhe vetëm të premten u publikuan detajet. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!