Coronavirusi do të ndryshojë futbollin. Kjo periudhë që ka bllokuar gjithçka, sjell krizë ekonomike dhe nga kjo nuk shpëtojnë as klubet më të mëdha në botë. Sigurisht me kalimin e kohës do rimëkëmbën sërish, por fillimi do të jetë i vështirë.
Hoennes, presidenti i Bayern, pak ditë më parë u shpreh se nuk do të ketë më blerje që kapin shifrat e 100 milion eurove. Në të njëjtën linjë me të ishte edhe CEO i Inter, Beppe Marotta, ndërkohë që së fundmi një opinion e ka dhënë edhe drejtori sportiv i Juventusit, Fabio Paratici.
Ai mendon se edhe në futboll mund të mos ketë blerje lojtarësh dhe të ndjekin metodën e NBA, ku vetëm bëhen shkëmbime, ose lojtarët lëvizin me parametra zero. “ Do të ketë shumë marrëveshje shkëmbimesh, një situatë që do të bëjë futbollin thuajse njëlloj si NBA”, shprehet drejtori i bardhebzinjve.
Kjo krizë nxjerr të fituar gjermanët, që kanë një ekonomi të fortë dhe Paratici shton: “Ka të ngjarë që disa klube, për shembull ato në Gjermani, mund të përfitojnë nga kjo situatë e përgjithshme e krizës, për shkak të ekonomisë së qëndrueshme që kanë në krahasim me të tjerët”. /abcnews.al