Bjellorusia nuk e ka ndalur futbollin, edhe pse janë shënuar disa raste me Coronavirus. Lëvizjet atje janë të pakta, por gradualisht numri i të prekurve me COVID-19 po rritet. Gjithsesi jeta vazhdon normalisht dhe këtë e thotë edhe mesfushori i avancuar, Elis Bakaj. Ai luan prej tre vitesh atje dhe së fundmi është pjesë e kampionëve të Dinamo Brest.
“Nëse situata është si në Itali, si në pjesën tjetër të Europës, sigurisht kampionati duhet të ndalet, pasi është e rrezikshme. Por këtu, deri tani nuk është aq e rrezikshme. Situata është nën kontroll”, thotë fillimisht Bakaj, e cili e shikon si pozitiv vendimin për të mos e ndalur futbollin. “Për mua është pozitiv vendimi për të luajtur, sepse njerëzit tani kanë nevojë për pozitivitet, kanë nevojë të shohin disa ndeshje.
Jo ta kenë mendjen gjithë kohën, ‘coronavirus, coronavirus, coronavirus’. Kjo është e rrezikshme për kokën, për stresin dhe gjithçka. Në Bjellorusi, shoku im, gjithçka është normale. Jeta po shkon normalisht, jo si në pjesën tjetër të Europës. Gjithçka është e hapur, njerëzit shkojnë në restorante, në punë, banka. Gjithçka vijon normalisht”, shton Bakaj për The Score.
Së fundmi edhe tifozët kanë vendosur të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos rrezikojnë, çka u reflektua edhe në ndeshjen e fundit të Dinamo Brest. Por çfarë ndodh nëse ndonjë lojtar nuk do të pranojë të luajë. Bakaj është i qartë, teksa thekson se kanë një kontratë për të respektuar.
“Si futbollist, ti ke një kontratë dhe duhet ta respektosh atë. Duhet të shkoni në stërvitje dhe të luani. Nëse ke probleme me këtë, ndoshta mund të mbyllesh kontratën dhe të shkosh në shtëpi. Jo vetëm këtu, por në të gjithë botën. Nëse në klub duan që ju të luani dhe ju nuk doni, sigurisht që keni një problem të madh”.
Numri i të prekurve në Bjellorusi ka shkuar në 76 dhe Bakaj kur dëgjon për shifrat, sigurisht që shqetësohet. Gjithsesi është i qartë, duke u shprehur se ai nuk ka çfarë të bëjë. “Nuk dua të mendoj për këtë pjesë, dua të mendoj pozitivisht. E di që është e vështirë të luash futboll në këtë moment, por çfarë duhet të bëj? Duhet të jem një profesionist, kam një kontratë afatgjatë këtu. E di që është e vështirë, por çfarë mund të bëj unë? Asgjë”. /abcnews.al