Koronavirusi i ka dhënë një tjetër goditje ekonomisë shqiptare pas tërmetit. Eksperti Dritan Shano deklaron se muajt në vijim do të jenë shumë të vështirë për ekonominë shqiptare e cila nuk parashikohet të kalojnë nivelin e rritjes prej 2%.
“Po bëj mëkatin tim të parashikimit. Nuk mendoj që rritja ekonomike në Shqipëri do të kalojë 2 % që është thuajse zero”, u shpreh Shano.
Sipas Shanos akordimi prej 3.5 milion eurosh nga qeveria për situatën nga koronavirusi është i pamjaftueshëm. Sipas tij njerëzit duan ndihmë dhe jo batuta në televizion.
“Alokimi prej 3.8 milion eurosh për të blerë pajisje është qesharak. Vetë Kosova që është një shtet i ri alokoi 10 milion euro” tha Shano.
Edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë deklaroi se rritja ekonomike në Shqipëri do të dëmtohet nga kjo situatë e krijuar nga përhapja e COVID-19.