Banorët e pallatit në Gjirokastër i cili rrezikoi të shembej për shkak të shkarjeve të kodrës dolën në protestë. Ata thonë se janë të rrethuar nga balta dhe askush nuk merr masa për t’i ndihmuar.
Ata nisen protestat për pallatin e tyre i rrethuar nga balta. Pas rrëshkitjes së shpatit të kodrës, kjo ndërtesë është kthyer në kërcënim për banorët e pallatit tetëkatësh në Gjirokastër.
Banorët protestuan në hyrje të qytetit duke kërcënuar me bllokim të rrugës nacionale pas mungesës së marrjes së masave konkrete për largimin e baltës që ka mbuluar pallatin.
Banorët e hyrjeve të dëmtuara tregojnë se shuma e ofruar për pagesën e qirasë është jo vetëm e pamjaftueshme, por edhe qesharake e ndonëse iu tha se brenda dhjetëditëshit të dytë të shkurtit situata do të ishte normalizuar, gjendja vijon të jetë po e njëjtë.
Shirat e dendur të fillim muajit shkaktuan probleme serioze për pallatin tetëkatësh në lagjen “Kodra e Shtufit” duke rrezikuar shembjen e pallatit, ndërsa balta mbuloi tre katet e para të tij. Ndonëse u fol për largimin e baltës dhe marrjen e masave konkrete, ende dhe sot, dy javë pas kësaj ngjarjeje situata në këtë zonë është po e njëjta, ndërsa banorët ndihen të braktisur e në udhëkryq. Protesta e tyre do të vijojë të përshkallëzohet./abcnews.al