Sfida gjysmëfinale e Nations League mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës po afron. Përballja e rëndësishme për kualifikimin në Euro 2020 është programuar të zhvillohet me datë 26 mars në National Todor Proeski Arena të Shkupit.
Biletat ishin shitur të gjitha, por autoritetet e vendit fqinj vendosën që kjo ndeshje të luhet pa tifozë. Koronavirusi ka përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut dhe paniku është i madh si kudo. Sportmedia.mk raporton se Federata e këtij vendi i ka bërë një kërkesë UEFA-s që ky duel të shtyhet.
Në letrën e dërguar në qeverinë europiane të futbollit, Federata sqaron se, përveç problemit që takimi do të luhet pa tifozë, fakti që shumë lojtarë do të vijnë për këtë ndeshje nga vende të prekura nga Koronavirusi janë të rrezikshme.
Pesë ditë më vonë, konkretisht me 31 mars, zhvillohet edhe finalja e madhe për një biletë në Europian. Fituesi i çiftit Bjellorusi-Gjeorgji do të ndeshjet me fituesin e Maqedonia e Veriut-Kosovë. Federata e Maqedonisë së Veriut vazhdon kontaktet me dy Federatat e tjera dhe tani pritet përgjigja e UEFA-s. /abcnews.al