Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar një ditë pas lajmit se Komisioni i Disiplinës në UEFA ka propozuar përjashtimin e Skënderbeut për 10 vjet nga kampionatet europiane.
FSHF thotë se ky është propozim dhe jo vendim, ndërsa deklaron se përgjegjësia i mbetet klubit korçar. Sipas një njoftimi të bërë publik për median, FSHF-ja njofton se gjatë ditës së djeshme, por edhe sot, ka marrë informacionet e nevojshme lidhur me dokumentin e publikuar.
Sipas FSHF-s dokumenti i prezantuar është relacioni i inspektorëve të UEFA-s drejtuar Komisionit të Disiplinës, dhe jo një vendim disiplinor. Sipas Federatës, këto informacione janë të domosdoshme për të patur një qëndrim të konsultuar institucional dhe publik.
Siç thuhet në qëndrim, ky institucion po e ndjek me vëmendje ecurinë e procesit disiplinor ndaj Skënderbeut, i cili po sipas FSHF-së mbetet një çështje që i përket drejtpërdrejtë klubit të Skënderbeut dhe vetë UEFA-s.
FSHF deklaron se do të jetë e hapur për çdo vendim disiplinor, që mund të vijë në rrugë zyrtare nga trupat gjykuese të UEFA-s për rastin në fjalë./abcnews.al