Tottenham, një sezon më parë shkoi deri në finale të Champions League. Sivjet situata te londinezët ishte ndryshe dhe nuk ia dolën dot as të eliminonin gjermanët e RB Leipzig. Asnjë gol i shënuar në dy ndeshje, kjo pasi Jose Mourinho nuk kishte në dispozicion Son dhe Harry Kane.
Pas ndeshjes se djeshme, që Tottenham e humbi me rezultatin 3-0, portugezi tha mes të tjerash: “Së pari dua të falënderoj tifozët që erdhën këtu në një situatë të vështirë. Është më e pakta që mund të bëj”.
Më tej Mourinho shton në lidhje me ndeshjen: “Natyrisht fitoi skuadra më e mirë. Ishin lart fizikisht, kishin ritëm dhe ishin në gjendjen e tyre më të mirë dhe me një stol të mbushur me cilësi, kundër një skuadre në vështirësi.
Është e vështirë për mua të flas përsëri për lojtarë të dëmtuar dhe ju doni që unë të flas për gjëra të tjera, por është e qartë se gjithçka vjen nga dëmtimet e akumuluara. Jemi të kushtëzuar prej tyre. E di që skuadra ime do të përmirësohet në të ardhmen me këta lojtarë”. /abcnews.al