Në monologun e tij këtë të martë në “Provokacija”, Mustafa Nano është ndalur tek situata e krijuar nga koronavirusi në vend. Konkretisht Nano ka komentuar task-forcën që është njoftuar se do të ngrihet nga Presidenca për të monitoruar situatën në terren.
Sipas moderatorit kjo lëvizje e Ilir Metës është qesharake dhe e çuditshme. Nano thekson se Meta në një situatë të tillë duhet të kishte thirrur në zyrë Ramën, pavarësisht marrëdhënies së tyre.
Monologu nga Mustafa Nano:
Ka ndodhur ajo që pritej koronavirusi ka mbërritur edhe në Shqipëri. Janë shfaqur të infektuarit e para me koronavirus, megjithëse me shumë gjasa numri i të prekurve me këtë infeksion është i destinuar të rritet.
Situata duhet thënë se është serioze, në rrethana të tilla është me interes të shihet reagimi i shoqërisë, më saktë i disa përbërësve të rëndësishëm të shoqërisë shqiptare. Këtu kam parasysh masën e madhe të mjekëve, kam parasysh masën e madhe të gazetarëve, median, kam parasysh sidomos politikanët. Në këtë mes më ka kapur në befasi reagimi i Presidentit të Republikës. Them më ka kapur në befasi, sepse ai ka nxjerrë njoftimin që në Presidencë është krijuar një task-forcë.
Dje doli njoftimi që kjo task-forcë ka disa funksione dhe mes të cilave mund të përmendim faktin që task-forca presidenciale do të monitorojë gjendjen në terren. Do të përpiqet të aktivizojë të gjitha potencialet, resurset e vendit, të gjitha mundësitë që ka kombi shqiptar në këtë rrethanë. Dhe në fund nga Presidenca ju bë edhe një apel qytetarëve të Shqipërisë, të cilët nëse kanë shqetësime dhe ankesa duhet të njoftojnë Presidencën nëpërmjet një numri telefoni që ju dha dhe adrese e-mail.
Unë dua të them se e gjitha kjo mu duk qesharake, mu duk e çuditshme. Madje është pak të them qesharake dhe e çuditshme. Presidenti i Republikës së Shqipërisë është një figurë honorifike, sipas Kushtetutës ka vetëm kompetenca të natyrës honorifike. Kjo është më e vërtetë akoma në ditët e sotme, ku maxhoranca në mënyrë tinëzare edhe brutale me shumë të padrejtë ka tentuar ta zhveshë edhe prej këtyre kompetencave. Në këtë kuptim nuk ka asnjë lloj sensi që Presidenti i Republikës të ngrejë një task-forcë me kompetenca ekzekutive.
Nuk ka asnjë kuptim që kreu i shtetit të sillet si një funksionar që ka kompetenca të qarta ekzekutive. Ai nuk i ka këto kompetenca, ai nuk ka në dorë të mobilizojë resurse. Dhe prandaj gjesti i tij ishte ashtu siç e thashë pak më parë, i çuditshëm. Me këtë që bëri ai demonstroi edhe njëherë se ne shqiptarët vazhdojmë të jetojmë në kohë para politike, para demokratike, ku institucionet nuk ndihmojnë dot njëra-tjetrën, por i kundërvihen njëra-tjetrës.
Unë mendoj se në këtë rrethanë, në rrethana të ngjashme me këtë tonën kombet e mëdhenj dinë të reagojnë, dinë të nxjerrin më të mirën e tyre. Dhe unë kam pritur, kam përshtypjen se shumë njerëz kanë pritur që krerët e institucioneve të rëndësishme të shtetit shqiptar, si Presidenti i Republikës, në këtë rrethanë ai mund të nxirrte më të mirën e vet.
Këtë gjë ai mund ta bënte me një gjest shumë të thjeshtë, duke i bërë një telefonatë kryeministrit, armikut të tij, ta ftonte në zyrën e vet dhe ti thoshte: “ok unë e di që marrëdhënia jonë është e vështirë, të gjithë e dinë që marrëdhënia jonë është e vështirë, por ky është një moment i veçantë në zyrën e vendit, siç është një moment i veçantë i shumë vendeve në Evropë. Dhe prandaj është vendi, është koha që ne të lëmë mënjanë konfliktet, mllefet tona, është koha që ne të lëmë mënjanë goditjet nën brez dhe të bëhemi bashkë, të shfaqemi edhe përpara publikut në mënyrë që të përcjellim mesazhin që shoqëria shqiptare është e bashkuar”. Ky duhet të ishte mesazhi që duhej përcjellë. Kjo do ishte gjëja më e mirë që duhej bërë dhe jo krijimi i një task-force, e cila do bëheni dëshmitarë të gjithë që nuk do të ketë asnjë lloj funksioni praktik dhe real.
/abcnews.al