“Russiagate”, Steve Bannon 20 orë në pyetje nga prokurori Mueller

schedule11:24 - 16 Shkurt, 2018

schedule 11:24 - 16 Shkurt, 2018

Prokurori special Robert Mueller, i cili heton për çështjen “Russiagate”, ka marrë në pyetje për 20 orë ish-shefin e strategjisë të presidentit amerikan Donald Trump. Mediat bëjnë me dije se Steve Bannon i është përgjigjur të gjitha pyetjeve.

Steve Bannon, ish-shefi i strategjisë së presidentit amerikan Donald Trump, është marrë në pyetje si pjesë e një hetimi për dyshimet e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e 2016-ës. Ai është takuar me prokurorin special Robert Mueller për dy ditë me radhë këtë javë. Bannon ka qenë drejtues i fushatës presidenciale të Trump përpara se të bëhej një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Ai u largua nga detyra në Gusht të viti të kaluar për shkak të tensioneve me ndihmës të tjerë. Mueller po drejton një hetim për dyshimet se ekipi i fushatës së Trump kishte lidhje me Rusinë, vend i cili akuzohet se ka ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane. Por Moska dhe Trump mohojnë këtë gjë.

Hetuesit besojnë se Bannon posedon informacion kyç për administratën Trump, përfshirë detaje përse presidenti amerikan shkakroi ish-drejtorin e FBI James Comey. Ky i fundit ka thënë më herët se nuk ka asnjë dyshim se është shkarkuar nga Trump për të ndikuar tek hetimi për “Russigate”, një akuzë të cilën Shtëpia e Bardhë e mohon.

Ndërkohë, nuk është e qartë akoma se përse është pyetur Bannon, por raportohet se ka shpenzuar rreth 20 orë duke folur me ekipin e Mueller. Një burim afër procesit, tha për “Associated Press” se Bannon i është përgjigjur të gjitha pyetjeve që i janë bërë./abcnews.al