Komiteti Olimpik Kombëtar Italian (CONI) ka marrë vendimin për të pezulluar çdo aktivitet sportiv në Itali deri në 3 prill. Kornavirusi ka “paralizuar” gjithçka në vendin fqinj dhe tre janë opsionet në lidhje me atë që do të ndodhë në Serie A, pas konfirmimit të pezullimit të aktiviteteve sportive.
TMW analizon situatën e vështirë dhe shtyrja e Serie A mund të ndikojë edhe në Euro 2020, kompeticion që zhvillohet mes datave 12 qershor-12 korrik (akoma nuk dihet nëse do të zhvillohet në datat e përcaktuara). Shtyrja e kampionatit italian do të ndikonte që të shtyhej edhe Europiani. Serie A do të përfundonte vonë dhe Europiani mund të zhvillohet në vjeshtë.
Liga italiane mund të vendosë që të luhet çdo 2-3 ditë për t’u mbyllur gjithçka para Europianit. Një opsion i tillë do të ndikonte në ngjeshjen e kalendarit dhe do t’i shkaktonte shumë probleme skuadrave. Kupa e Italisë? Mund të përfundojë në qershor ose mund të shtyhet për në gusht.
Në fund opsioni i tretë, që do të sillte kaos të madh. FIGC (Federata Italiane e Futbollit) do të detyrohej të mos shpallte skuadrën kampione, por vetëm ata që kualifikohen në Europë, me pretekstin për të mos dëmtuar Serie B. Nga Serie A nuk do rrëzohej asnjë skuadër, teksa dy ekipet e ardhura nga Serie B do e çonin në 22 numrin e skuadrave për sezonin e ri në Serie A. /abcnews.al