Mbyllja e shkollave, Besa Shahini: Masë parandaluese, nuk ka arsye për panik

schedule10:43 - 9 Mars, 2020

schedule 10:43 - 9 Mars, 2020

Ministrja e Arsimit Besa Shahini ka konfirmuar vendimin e qeverisë për mbylljen në një periudhë 2-javore të gjitha institucionet arsimore në vend.

Shahini thekson se një vendim i tillë është marrë për arsye frenimi të përhapjes së virusit COVID-19, i cili është shfaqur në dy raste në Shqipëri. Ministrja thekson se nuk ka asnjë arsye për panik dhe se vendimi është marrë si masë parandaluese.

Reagimi i plotë:

U vendos nga Task Forca për Koronavirusin që të mbyllen institucionet arsimore për periudhë dy javore, deri më 23 mars 2020.

Kjo për arsye frenimi të përhapjes së virusit COVID-19, i cili është shfaqur në dy raste në Shqipëri. Masa është parandaluese dhe frenuese – nuk ka asnjë nevojë e arsye për panik. Po tregohemi shumë të kujdesshëm që të zvogëlojmë maksimalisht mundësinë e përhapjes së këtij virusi.

Mbani mend që fëmijët dhe të rinjtë nuk janë grupmoshë e rrezikuar nga virusi, por mund të jenë bartës. Ndaj, do të pezullohet mësimi në institucionet arsimore.

Masat që secili prej nesh duhet të ndërmarrë individualisht:

  • Të lajmë duart shpesh për 20 sekonda;
  • Të evitojmë takimin deri në 1 m largësi;
  • Të evitojmë grumbullimet e njerëzve.

Për më shumë informacion, pak më vonë do të mbaj një konferencë për shtyp.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!