Këtë të shtunë nis në ABC News emisioni i ri “Vetting”, i gazetares Luljeta Progni. Shtjellim i ngjarjeve dhe personazheve që diktojnë fatet e shqiptarëve, në tranzicionin e pambarimtë.
Jetët e taksapaguesve të cilet prej vitesh kontribuojnë për një pushtet dhe jo shtet, mohimi i së drejtës së ushtrimit të përgjegjësisë përmes manipulimit të votës, qeveritare e politikane që s’ka vetting që i prek në “parajsën” e korrupsionit, ndërsa bandat e krimit të organizuar rikthehen në mënyrë edhe më të pakontrollueshme se sa në trazirat e ’97-ës. Nga e shtuna të gjithë në “Vetting”.
Të parët do të jenë mësuesit…çfarë festojnë ata këtë 7 mars? Drejtorë shkollash që shkarkohen për skandale, afera korruptive e shpërblehen me poste të tjera shtetërore. Arsimtarë që udhëtojnë 120 km për të mbërritur në vendin e punës, ndërsa shpërblimi i transportit u është hequr, dhe pagat mbeten më të ultat në rajon.
Presioni politik dhe propaganda partiake mbi njerëzit që mësojnë e edukojnë fëmijët tanë. “Rilindja” e profesionit të mësuesisë dhe reformat për të cilat flitet nga drejtuesit e arsimit.
Gjithçka në Vetting përmes fakteve, argumenteve dhe zërit të mësuesve./abcnews.al