Kukësi luan të hënën në Korçë me Skënderbeun, një ndeshje mjaft delikate. Verilindorët nuk do të kenë të gatshëm dy titullarë të rëndësishëm, mbrojtësin Olsi Teqja dhe sulmuesin Vasil Shkurtaj. I pari është i pezulluar me kartonë të verdhë, kurse i dyti i dëmtuar.
Vlonjati, veç ndeshjes me Skënderbeun, do të humbë edhe takime të tjera për shkak të një zgjatjeje në ligament. Shehi mund të mos e ketë në dispozicion për katër javë sulmuesin, i cili është autor i 16 golave këtë sezon.
Risia në seancën e sotme stërvitore ka qenë kapiteni Besar Musolli. I dëmtuar në ndeshjen me Teutën, mesfushori ka dalë në stërvitje dhe ajo që binte në sy ishte një maskë që ai kishte vendosur, për shkak të dëmtimit në fytyrë.
Shehi do të shohë gjendjen e tij këto ditë, për të vendosur nëse luan nga fillimi me Skënderbeun. Me shumë mundësi kështu do të ndodhë, pasi janë edhe dy seanca të tjera në dispozicion dhe Musolli do të mund të jetë i gatshëm. /abcnews.al