Prej orëve të para të mëngjesit të së enjtes Policia Bashkiake e mbështetur dhe nga ajo e shtetit, bllokuan rrugën kryesore në zonën e Unazës së Re, për t’i ardhur në ndihmë IKMT-së në aksionin e shembjes së disa godinave.
Qytetarët e shumtë të cilët po shkonin në punë u përballen me policinë e cila nuk i lejonte të kalonin as në trotuaret pranë.
Fadromat e IKMT-së nisën aksionin e shembjes së godinave ku do kalojë Loti i 2 i rrugës, pa hasur në rezistencën e banorëve të Astirit të cilët i kanë boshatisur shtëpitë dhe bizneset e tyre që prej 17 shkurtit.
Njëri prej banorëve të kësaj zone u shpreh se ky është projekt korruptiv, duke drejtuar gishtin drejt kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
“Kush jeton në këtë vend është i kërcënuar. Ne nuk do të lëvizim nga Unaza. Personalisht nuk më del shpirti nëse nuk e shoh Ramën para drejtësisë. Kanunin e di mirë ai plehrë, frikacak. Do ta paguajë, siç na shkatërrojë familjet, do ta ndjekim këmba këmbës”, u shpreh një banor.
Në mbështetje të banorëve të Astirit ishte edhe ish-deputeti i PD, Klevis Balliu i cili tha se shembja e këtyre banesave do t’i hape rrugë ndërtimit të kullave nga oligarkët.
“Ka shkatërruar shtëpitë, strehën e qytetarëve vetëm për ndërtimin e kullave të pushtetarëve dhe të oligarkëve. Këtu do të jepen leje ndërtimi mbi gjakun dhe djersën e qytetarëve. Ata që kanë bërë këtë krim do të mbajnë përgjegjësi”, u ish-deputet i PD Klevis Balliu.
Në pjesën ku pritet të kalojë Loti i 2 i Unazës së Madhe do të shemben rreth 30 objekte banimi dhe biznesi, ndërsa shumica e banorëve janë strehuar tek të afërmit e tyre.
Pas rreth 4 orësh kaos, policia vendosi të lejonte kalimin e automjeteve nga “Pallati me Shigjeta” në drejtim të ish-sheshit “Shqiponja” duke zgjidhur ngërçin e trafikut./abcnews.al