VIDEO/ Doncic më mirë se Nowitzki, shkëlqen në fitoren kundër Pelicans

schedule15:39 - 5 Mars, 2020

schedule 15:39 - 5 Mars, 2020

Luka Doncic fitoi duelin me talentin e ri të basketbollit amerikan, Zion Williamson. Slloveni 21-vjeçar vendosi edhe një rekord për klubin e tij, Dallasin

Është e vështirë të përballosh yjet më të mirë të NBA-së kur je fare i vogël. Vërtet diferenca në përvojën amerikane mes Zion Williamson dhe Luka Doncic mund të mos jetë aq e madhe, por slloveni kaloi “stazhin” disavjeçar në Euroligë, kampionatin e dytë më të fortë në botë, dhe kjo u ndje fort ndërsa të dy u përballën në Dallas.

Ylli 21-vjeçar i Mavericks vendosi jo vetëm një rekord të karrierës së tij ende të shkurtër, por edhe tejkaloi rekordin e vetë klubit. Në ndeshjen ndaj New Orleans Pelicans ai realizoi “triple double” pwr tw 22-n herw, që do të thotë më shumë sesa të gjithë yjet e Dallas përpara tij, përfshi edhe legjendën gjermane, Dirk Nowitzki.

Doncic pati 30 pikë, kapi 17 topa në tabela dhe shërbeu 10 asiste, që u shtoi një vjedhje topi e një bllokim gjuajtjeje.  Bashkë me të shkëlqeu edhe letonezi Kristaps Porzingis. Basketbollisti qendër dhe tepër shtatlartë, shënoi 34 pikë kapi 12 topa në tabela, si dhe dha 3 asiste e pati 5 gjuajtje të bllokuara.

Zion Williamson nuk pati mbrëmjen e tij më të mirë, i mbuluar fort. Ai arriti të shënojë vetëm 21 pikë, jo keq për një 19-vjeçar, por pak për të përballuar Dallas Mavericks, që fitoi ndeshjen 127-123. Brandon Ingram (27 pikë) dhe Lonzo Ball (25) pikë, që të dy ish-lojtarë të Los Angeles Lakers, ishin realizuesit më të mirë për miqtë.

Dallas mban vendin e 7-të në Perëndim me 38 fitore e 25 humbje, por shpreson të ngjitet të paktën deri në vendin e katërt. /abcnews.al