Historia e Ferguson dhe Sormani, Gaz Demi vihet në pozicion delikat

schedule14:42 - 5 Mars, 2020

schedule 14:42 - 5 Mars, 2020

Partizani është në dilemë për projektin e trajnerit Sormani, ndërsa sezoni po shkon drejt dështimit. Presidenti Demi duhet të marrë një vendim të vështirë.

Ishte viti tashmë i largët 1989. Manchester United pësoi humbjen më të rëndë që mbahej mend në derbin me Sitin, një 1-5 që u quajt “masakra në Mein Roud”, dhe tifozët e tërbuar kërkuan shkarkimin e trajnerit. Në stol ishte dikush me emrin Alex Ferguson, që u ndodh në fije të perit, por klubi nuk u nxitua.

Skocezi i madh u la të punonte, mori lojtarët që iu deshën, mbi të gjithë Eric Cantona në vitin 1992, u shpall kampion në 1993 pas 26 vjetësh, ndërsa historia e mëvonshme dihet nga të gjithë. A mund t’i lejojmë vetes një krahasim me Partizanin e sotëm në Shqipëri?

 

Disfata 1-5 në derbi para pak ditësh vërtet nuk i bëri tifozët të kërkonin largimin e trajnerit Adolfo Sormani, por padyshim atmosfera në klub është e rëndë. Tifozët sulmuan më shumë krerët e sidomos drejtorin sportiv, Olsi Rama, të cilin e quajnë fajtor për largimin e ish-trajnerit Skënder Gega, njeriut që udhëhoqi ekipin drejt titullit të parë në 26 vjet.

Eksperimenti italian i nisur me Franko Lerdën për momentin ka dështuar dhe Partizani rrezikon edhe Europën. Krahasimi me Mançester Junajtidin mund të qëndrojë gjithsesi, pasi presidenti Gazmend Demi duket se nuk do të nxitohet.

Përtej humbjeve, Partizani ka lojë, siç e thotë edhe Sormani. “Nëse si përgjigje merret paraqitja e ekipit, atëherë duhet të them se ekipi më përgjigjet, se paraqitja ishte e mirë. Nëse do të më pyesni nëse jam i kënaqur me rezultatin, natyrisht që nuk jam”.

 

Sormani, pas ndeshjes me Teutën

Gjithsesi, trajneri duket se mendon që duhen ndryshime në ekip, diçka që mund të bëhet në verë. “Nuk mund të them se skuadra nuk prodhon lojë, por ka gjithashtu edhe limite të theksuara në karakter, sepse shoh që stresohet shumë ndërsa kërkon të fitojë ndeshjen dhe pastaj e pëson në momentin e parë kur ndodhet në vështirësi. Unë nuk flas kurrë për emra të përveçëm, përgjegjësia e parë gjithnjë është e imja. Lojtarët po bëjnë atë që munden, të nisim të kritikojmë nuk do ta ndihmojë Partizanin”.

Është e pamundur të vihet bast nëse Partizani italian do të kthehet në shina, që klubi do të ketë durim të gjatë dhe që Sormani do ta shpërblejë këtë durim me suksese. Futbolli nuk është shkencë ekzakte, por faktet tregojnë se ndryshimet në stol rrallë sjellin të mira. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!