Pas miratimit me unanimitet të rekomandimeve të komitetit parlamentar të stabilizim asociimit mes BE dhe Shqipërisë, të cilat i dërgohen institucioneve europiane si parlamenti europian dhe komisioni europian por edhe këshillit tonë të ministrave, ABC News ka zbardhur tekstin që mori të gjitha votat pro. Mes rekomandimeve spikat kërkesa e një date për çeljen e negociatave, por njëkohësisht theksohet nevoja për dokumentim të progresit në vend.
Kjo është marrëveshja e miratuar me unanimitet në forumin parlamentar mes BE dhe Shqipërisë.
Vijuar me të verdhë, kontributi i opozitës në rezolutë.
16 janë pikat e rekomandimeve të komitetit parlamentar të stabilizim asociimit ku bie në sy lajmi i mirë i kërkimit të një date për çeljen e negociatave si shtysë e fortë për vendin.
Rezultate të dokumentuara, konkrete dhe të qëndrueshme priten nga reforma në drejtësi në përgjithsësi, dhe vettingu në veçanti; reforma elektorale si dhe në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe në veçanti kultivimin dhe trafikimin e kanabisit.
Marrja e masave kundër trafikimit të çdo lloj droge, përfshi ato të forta, identifikimi i rrjeteve kriminale pas narkotrafikut, konfiskimi i pasurive të ardhura nga aktivitete kriminale në mënyrë të qëndrueshme, bindëse dhe të pakthyeshme.
Është pika 10 ajo e cila pasqyron amendametin blu që nënvizon se zyrtarët e lartë nuk duhet të përfitojnë nga trajtime të ndryshme nga ato ndaj qytetarëve të thjeshtë, nëse do të akuzohen.
Dokumenti na kujton në pikën 11 të tij se ka një lidhje të qartë mes varfërisë, papunësisë së lartë, korrupsionit dhe lulëzimit të tregtisë së kanabisit.
Sa i përket zgjedhjeve, dokumenti përshëndet ngrtjen e komisionit të reformës edhe pse reformimin e sheh të vonuar, kërkon adresimin e gjithë rekomandimeve të OSBE/ODIHR përpara zgjedhjeve të ardhshme përfshi marrjen e masave të vazhdueshme që parandalojnë dhe ndalojnë blerjen e votës apo presionin mbi votuesit si përcakton edhe kodi penal. Nënvizon nevojën e rikthimit të besimit tek publiku sa i përket integritetit të procesit elektoral si dhe përfshirjen e shoqërisë civile në këtë process.
Ulja e mëtejshme e numrit të azilkërkuesve, përshëndetja e adoptimit të kuadrit ligjor për minoritetet dhe thirrja për eleminim të gjuhës së urrejtjes ndaj grupeve vunerabël ishin pjesë e dokumentit me rekomandime. Ajo që bie në sy është refuzimi i përfshirjes së gazetarëve në grupin e të mbrojturve nga gjuha e urrejtjes, duke konsideruar vetëm grupet vunerabël, tek të cilat përfshin edhe komunitetin LGBT.
Sa i përket lirisë së medias, palët duket se japin një pothuajse-rekomandim duke kërkuar asgjë më shumë apo më pak se zbatimin e shtrengimeve ligjore sa i përket lirisë së shprehjes dhe kodit të punës.
Në përfundim dokumenti përshëndet radhitjen e Shqipërisë kah Bashkimit Europian në politikat e sigurisë dhe ato të jashtme./abcnews.al