Milwaukee Bucks më në fund e pësoi një humbje në basketbollin amerikan. Skuadra më e mirë e sezonit u mposht jashtë fushe nga Miami Heat.
Nëse mbetet me kaq, sërish do të ishte një barazim rekordi në NBA. Milwaukee Bucks ka vetëm 9 humbje këtë sezon, po aq sa edhe bilanci më i mirë në histori arritur 4 vjet më parë nga Golden State Warriors (83 fitore, 9 humbje), dhe humbja e 9-të u pësua pikërisht mbrëmjen e fundit në fushën e Miami Heat.
Skuadra që doli dy herë kampione e NBA-së, me LeBron James, Dwyane Wade e Chris Boshin, e tregoi gjithë krenarinë e saj duke mundur ekipin më të mirë të vitit, me shifrat bindëse 105-89. Ja pra që edhe Giannis Antetokounmpo e shokët e tij janë njerëz dhe mund të thyhen.
Vetë Antetokounmpo luajti ndjeshëm nën nivelin e tij, duke shënuar vetëm 13 pikë, ndonëse kapi 15 topa në tabela. Tepër larg paraqitjes së parafundit kur shënoi 41 e kapi 20 topa! Ai realizoi vetëm 30 për qind për dy pikë dhe i gaboi të 4 gjuajtjet për tri. Më keq se kaq vështirë se mund të bëhet.
Edhe Khris Middleton nuk ishte vetvetja, me 12 pikë e 7 topa në tabela. I vetmi që bindi ishte Brook Lopez, me 21 pikë e 6 tabela. Për Miami Heat nuk pati një yll që të dallohej fort nga të tjerët.
Jimmy Butler shënoi 18 pikë (6 tabela, 7 asiste), po aq sa Jae Crowder (18 pikë). Slloveni veteran, Goran Dragic, shënoi 15 pikë, Bam Adebayo shtoi 14 pikë dhe 13 topa në tabela, Kendrick Nunn realizoi 13 dhe Kelly Olynyk pati 11 pikë. /abcnews.al