Starova: Humbja do të ishte e rëndë për Partizanin, në derbi duhet fat!

schedule23:26 - 27 Shkurt, 2020

schedule 23:26 - 27 Shkurt, 2020

Sulejman Starova ka vazhduar analizën e tij në Pressing, duke u ndalur më gjerësisht tashmë në derbin e kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit.

DERBI – “Konkretisht, në rast humbje, Partizani shkon -9. Janë shumë, imagjinoni çfarë ndodh. Është dhe një kundërshtar tjetër, Kukësi. Ka dhe skuadra të tjera që po luftojnë për Kupat e Europës. Sa pikë janë në valle? Nuk bëhet krahasimi i humbjes me barazimin, asnjëherë. Pse, Tirana ka ndonjë diferencë të madhe me tre kundërshtarët e vet?”

MOSHAT – “Ajo është ëndrra e çdo futbollisti, të bëjnë maksimumin te moshat dhe të arrijnë tek ekipi i parë. Duhet ta kenë ambicie që të bëhen lojtarë të mëdhenj”.

STRATEGJITË – “Pak a shumë, ato që thamë ne këtu, e kanë thënë dhe trajnerët. Nuk është se e sfumojnë derbin, por luhet vetëm për pikë. Siç e tha dhe Sormani, me këto tre pikë, afrohet për titullin kampion. Egbo thotë të na ndihmojë Zoti dhe të arrijmë te titulli kampion. Loja është e thjeshtë dhe duhet edhe fati, shansi”.

NDESHJA – “Sa i përket derbit, e veçanta është se sado që është ndeshje e rëndësishme, është ndeshja ku sa bie bilbili, çdo futbollist lufton në çdo cep të fushës, për të fituar duelin e parë. Është karakteristikë e të gjithë ndeshjeve derbi në botë, luftohet jo duke pritur, por duke fituar duelet. Ndeshjet e forta dhurojnë pakicë golash, mobilizimi është maksimal. Skuadra që pret kur topin e ka kundërshtari, luan fort për t’u mbrojtur mirë, edhe sulmuesi jep kontribut 100% për të mos e lënë kundërshtarin të afrohet” tha Starova./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!