Sulejman Starova, trajneri i mirënjohur shqiptar, është si gjithmonë i ftuar në Pressing, në ABC News. Bobi e nisi fjalën e tij me një analizë të shkurtër të derbit të kryeqytetit, Tirana-Partizani: “Derbi ka vëmendje të madhe, të gjithë e shohin, tifozë të dy skuadrave dhe jo vetëm. Derbi i kryeqytetit bën gjithmonë jehonë. Jemi te derbi dhe rëndësia dhe e veçanta është se rritet përgjegjësia te të gjithë, nga presidenca, deri te lojtarët. Tifozët e kanë ditë të veçantë dhe herë pas herë, është dëgjuar shprehja që më mirë fitoj derbin, se kampionatin.
Egbo nuk është i ri në Shqipëri, e di çfarë do të thotë të përballosh derbin e çfarë do të thotë ta humbasësh apo fitosh. Përveç kënaqësisë së madhe që iu jep tifozëve, rrit edhe moralin te skuadra. Ana psikologjike ndikon dhe jehona e fitores në derbi për Tiranën, i shkoi për mbarë. Pastaj se si i gjen ky derbi të dyja skuadrat, unë them se Tirana është mirë moralisht. Po flasim për dy skuadra që kanë motivim për këtë sfidë.
Tani të flasim për derbin dhe çfarë ndodh për derbin. Gara fillon që nga presidenca, të cilët harxhojnë para dhe në kushtet e një rezultati të dobët, e dimë çfarë ndodh. Është garë mes dy tifozerive, kush bën koreografi më të bukur. Është një ngjarje e shënuar mes dy skuadra dhe gjumi nuk të zë natën gjatë gjithë natës. Është një privilegj për ata që luajnë. Në rast se je profesionist, këto lloj emocionesh duhet të vlejnë pozitivisht. Ka rastisur dhe në ndeshje që kanë humbur disa lojtarë , pasi nuk e kanë njohur derbin. Kësaj radhe, e njohin të gjithë derbin. Partizanit i duhen pikët se s’bën, pozitat e Tiranës i dimë. Historia ka treguar se je i pari dhe luan me vendin e shtatë, rezultatit nuk i dihet. Derbi është gjithmonë 50/50”, tha Starova./abcnews.al

