Përfaqësuesit e Partisë Demokratike Albana Vokshi dhe Gazmend Konduzi kanë vizituar qendrën mjekësore në Kamëz, për të parë nga afër masat e marra nga kjo qendër në lidhje me Koronavirusin, i cili po i afrohet gjithnjë e më tepër Shqipërisë.
Pas vizitës në këtë qendër Konduzi dhe Vokshi deklaruan për median se:
“Ka një indiferencë dhe paaftësi nga ana e ministrisë së shëndetësisë dhe institucioneve të saj për të siguruar jetën e personelit shëndetësor por gjithashtu edhe familjarëve dhe popullatës shqiptare”, deklaroi Konduzi.
Ndërkohë Albana Vokshi bëri thirrje që qytetarët të ruajnë qetësinë dhe të rrisin masat për kushtet higjeno-sanitare.
“Qytetarët nuk duhet të panikohen. Lajmi i mirë është që në Shqipëri nuk ka të konfirmuar me koronavirus. Vetë Qytetarët duhet të marrin masat për kujdesin hijeno-sanitar dhe të njoftojnë stafin mjekësor nga ana tjetër, qytetarët, mjekët, stafi mjekësor nuk kanë nevojë për propagandën qeveritare apo për show.
Qeveria të mos harxhojë më milionat e eurove për një grup oligarkësh e klientësh për koncesione abuzive, korruptive, kriminale të panevojshme por këto para ti alokojë për një situatë që ti paraprijë të parandalojnë koronavirusit.
Grupet e Partisë Demokratike do të vazhdojnë të jenë në terren për të monitoruar situatën e Koronavirusit jo vetëm në Tiranë por edhe në qytete të tjera. PD do të vazhdojë të jetë zëri i mjekëve dhe zëri i stafit mjekësor që tashmë punojnë në një terror të vërtetë“, tha Vokshi./abcnews.al