Homazhet publike për humbjen e Kobe Bryant dhe vajzës së tij Gianna janë mbajtur dje në “Staples Center” në Los Angeles. 20.000 bileta dolën në shitje dhe u blenë menjëherë nga fansat e kampionit të basketbollit, të cilët nderuan Bryant dhe vajzën e tij. Bashkëshortja e basketbollistit, Vanessa, na i theu për herë të dytë zemrat me fjalimin që mbajti në hapjen e ceremonisë, me një mesazh të ndjerë që i drejtohej bashkëshortit dhe vajzës shkruan Los Angelos Times.
“Do të doja të flisja për të dy sot. Për Kobe dhe Gigi-n. Do ta nis me vajzën time. Ajo më puthte gjithmonë para se të flinte dhe në mëngjes.Kishte raste kur unë shumë e lodhur dhe më zinte gjumi. Kur zgjohesha i çoja ndonjë mesazh për t’i thënë pse nuk më puthi dje dhe përgjigja që merrja ishte: ‘Mami ti po flije dhe s’doja të të zgjoja.’ E dinte sa të rëndësishme ishin për mua puthjet e saj. Edhe pse ishte vetëm 13-vjeç, ajo donte të ishte e sigurt që çdo gjë po shkonte mirë. E mbante familjen tonë të bashkuar. I donte traditat familjare, filmat që shihnim bashkë, lojërat apo pushimet ishin shumë të rëndësishme për të.
Gianna ishte e zgjuar. Sot, ne s’do ta kemi më mundësinë ta mësojmë t’i japë makinës. Nuk do ta shoh kurrë vajzën time në altar, nuk do të shoh kurrë një kërcim babë e bijë, apo ta shohë të kërcejë me mua a me fëmijët e saj. Gianna do të ishte mama e shkëlqyer! Do të ishte bërë lojtarja më e mirë e WNBA-së.”- u shpreh Vanessa, teksa mezi mbante lotët, në shenjë respekti për të pranishmit që ndodheshin aty.
Pas dedikimit për të bijën, ajo nisi të fliste për Kobe.
“Ai ishte i imi. Ishte gjithçka e imja. Kobe dhe unë kemi qenë bashkë që kur unë isha 17 vjeç. Isha e dashura e tij e parë, dashuria e parë, gruaja e tij, shoqja e ngushtë, njeriu më i besuar dhe mbështetja më e madhe. Kurse ai, ishte burri më i mirë në botë! Më donte më shumë nga ç’mund ta shpreh unë apo fjalët. Unë isha zjarri, ai akulli dhe herë pas herë, e kundërta. Ne ekuilibronim njëri-tjetrin. Ai do të bënte gjithçka për mua.
S’ja kisha idenë se meritoja një burrë që të më donte më shumë se Kobe. Ishte zotëri dhe shumë karizmatik. I dashur dhe romantik. Në fakt, në marrëdhënien tonë, romantiku ishte ai. Ishte baba i mrekullueshëm. Si Gigi ashtu dhe Kobe ishin shumë të lehtë për t’i dashur. Zoti e dinte se ata të dy s’mund të rrinin në Tokë pa njëri tjetrin. Zemër, kujdesu për vajzën tonë. Unë kam Nata-n, Bebe dhe Koko. Ju duam dhe na ka marrë malli. Pushoni në paqe, derisa të takohemi një ditë në parajsë.”- përfundoi ajo.
Në ceremoni mori pjesë edhe këngëtarja me famë botërore, Beyonce, e cila performoi disa prej baladave të saj më të ndjera./abcnews.al