Kampioni i ri i WBC, Tyson Fury, ka folur pas fitores e cila i dha titullin kampion. Shtatë raunde i kanë mjaftuar Tyson Fury për t’u shpallur kampion bote në peshat e rënda në sportin e boksit. Britaniku triumfoi me “KO teknik” kundër Deontay Wilder, pas një dueli që ai e dominoi dhe tashmë rripi i WBC është i tiji.
‘’Një duartrokitje e madhe për Deontay Wilder. Ai erdhi këtu sonte dhe tregoi që ka një zemër kampioni. Unë e godita me një të djathtë të pastër, që e rrëzoi në tokë, por ai u rikthye përsëri. Është një luftëtar. Mendoj se do të kthehet dhe do të shpallet përsëri kampion’’, ishin fjalët e britanikut.
Fury ishte shumë i motivuar në këtë ndeshje dhe ia doli ta hidhte në tapet dy herë Wilder. Diçka e tillë ndodhi në raundin e tretë dhe të pestë e lëshoi në tokë. Boksieri amerikan pësoi humbjen e parë në karrierë, kurse britaniku mbetet i pamposhtur. /abcnews.al