Shteti gjerman ka marrë sot vendimin për shtimin e forcave të policisë në zonat kryesore të qyteteve të vendit, për të paranduar sulme të tjera terroriste me natyrë raciste. Ministri i Brendshëm gjerman Horst Seehofer është shprehur se kërcënimi i sigurisë së vendit nga ekstremistët e krahut të djathtë, antisemitët dhe racistët ka arritur në nivele të frikshme.
Sipas autoriteteve zyrtare gjermane, Gjermania do të vendosë forca shtesë policore për të mbrojtur xhamitë, stacionet hekurudhore, aeroportet dhe vende të tjera nevralgjike në hapësirën urbane të qyteteve, për shkak të një kërcënimi “shumë të lartë” të elementeve të së djathtës ekstreme.
Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, tha se ai kishte rënë dakord me udhëheqësit rajonalë, për masat e reja të sigurisë.
“Kërcënimi i sigurisë nga ekstremizmi i krahut të djathtë, antisemitizmi dhe racizmi është shumë i lartë”, tha ministri Seehofer. Ai i quajti këto fenomene si “kërcënimi më i madh i sigurisë me të cilin përballet Gjermania” vitet e fundit.
Të mërkurën, një ekstremist i dyshuar i krahut të djathtë vrau nëntë vetë në dy lokale në qytetin e Hanaut. I dyshuari u gjet më pas i vdekur në një apartament. Muhamed B, një i mbijetuar i plagosur, përshkroi nga shtrati i tij në spital se si personi i armatosur qëlloi me kujdes viktimat në Arena Bar & Cafe. Hetuesit janë duke e trajtuar sulmin si akt terrorizmi. Prokurorët që po ndjekin çështjen kanë arritur në konkluzionin se agresori i dyshuar, ishte “ekstremisht racist”. /abcnews.al