Prokuroria është duke bërë verifikimet në lidhje me sasinë e lëndës me rrezikshmeri të lartë të sekuestruar në një traget të ardhur nga Italia në Vlorë.
Policia ka gjetur në brendësi të tragetit rreth 40 metër kub lesh xhami që ka përmbajtje të lartë amianti si edhe dhjetë fuçi me mbishkrimin “Eni”.
Burime nga prokuroria thanë se ato vinin si produkte për firmën e pastrimit “Delfini 1” administratorja e të cilës gjithashtu është arrestuar.
Ka dyshime se një pjesë e lëndës problematike do të dërgohej në pikën e grumbullimit të mbetjeve “Kormuzi”, pronari i të cilës është ndaluar.
Ndërkohë, gazetari Elton Nika ka siguruar dëshminë e bashkëshortes së tij, Rozina Kormuzi, e cila ka mohuar kategorikisht të mbledhin lëndë me përmbajtja amianti duke theksuar se janë një biznes i rregullt.
Personat e arrestuar në dëshminë e tyre para hetuesve kanë thënë se në brendesi të fuçive kishte vaj për motorrin e tragetit. Nga mostrat e marra do të përcaktohet se çfarë përmbajnë fuçitë; vaj motorrit apo mbetje të tjera.
Gjatë operacionit në fjalë janë ndaluar Festim Tafa, 72-vjeçar, kapiteni i tragetit “S.T. Damian”, zv/kapitenin, Kujtim Xhaferllari 65 vjeç banues në Vlorë, drejtori i një agjencie tragetesh, A.B 48 vjeç dhe shoferi i furgonit ku është gjetur një pjesë e vogël lesh xhami, Arbër Çuni 28 vjeç.Në pranga ka rënë dhe administratorja e kompanisë “Delfini 1” Elisabeta Cuni. /abcnews.al