Gjendja shëndetësore e naftëtarëve në ditën e katërt të grevës së urisë paraqitet më e rënduar.
“Deri në vdekje, fëmijët le të ngelen jetim pa baba”, u shpreh një prej naftëtarëve.
Duket qartë që naftëtarët e kanë ndarë mendjen për të mos dalë nga greva e urisë edhe pse shëndeti i tyre është përkeqësuar shumë. Prej 24 orësh ata nuk konsumojnë as ujë dhe janë të vendosur që të mos lejojnë asnjë mjek në ambientet e grevës.
“Do të rezistojmë deri në fund, deri sa të realizohen kërkesat tona”, tha një tjetër protestues.
Të zhgënjyer nga politikanët e të gjitha partive në ditën e katërt të grevës kanë vendosur të mos lejojnë asnjë prej tyre për ti vizituar.
Ata i drejtojnë dhe një thirrje Edi Ramës ku përfshijnë dhe fëmijët.
“I them zotit kryeministër se siç gëzon ai me fëmijët duam të gëzojmë edhe ne. Jemi pa bukë, duhet të reagojë”, u shpreh ai.
Një tjetër naftëtar kërkon që qeveria ti kërkojë llogari firmave që kanë nën menaxhim, uzinën e naftës në Ballsh, pasi ata po privohen edhe nga e drejta për të marrë ndihmë ekonomike.
“Kërkojmë që pronari që është të shpallë falimentin, të largohet. Më takon të marr aisistencë. Por duke mos më dhënë librezën e punës rrezikoj të mos e marr”, tha ai.
Këta punonjës të Rafinerisë të Ballshit dhe qindra të tjerë kanë në total përgjatë viteve të punës së tyre rreth paga pa marrë. Kjo dhe nevoja për të vijuar punën i detyroi të hyjnë në grevë urie.
Edhe gjendja shëndetësore e punonjësve të nënstacionit të Poçemit në ditën e 7 të grevës është rënduar. Ata ngrenë akuza të forta për pushtetarët që i kanë kontaktuar dhe janë përballur me heshtjen e tyre.
“Morëm prefektin në telefon, por ai nuk do t’ja dijë fare. Kemi marrë zotin Erjon Braçe edhe ai e ka fikur telefonin. Kemi marrë deputetin e zonës dhe na tha s’ju bëj dot punë. Kjo do të thotë se shteti ka marrë fund”, u shpreh ai.
Ky punonjës me zë të mekur thekson se disa prej tyre nuk konsumojnë më as ujë dhe nuk lejojnë që mjekët t’ju japin ndihmë.
“Erdhi ambulanca, por nuk pranon të marrë ndihmë”, tha ai.
Punonjësit që janë përfshirë në grevat e urisë që mbahen në qarkun e Fierit kanë shkak madhor mosdhënien e mbi 20 pagave nga firmat që menaxhojnë uzinën e Ballshit dhe nënstacionin e pompave në Poçmë./abcnews.al