ABC News zbulon makinën që transportoi motorin e atentatit ndaj Lulzim Kullës

schedule16:45 - 8 Shkurt, 2018

schedule 16:45 - 8 Shkurt, 2018

Tre persona nga Elbasani u ndaluan nga Policia e Shkodrës pasi dyshohet se janë autorët e atentatit me eksploziv në lagjen Rus, ku u plagosen tetë persona mes tyre edhe biznesmeni, Lulzim Kulla. Ndërkohë, ABC News ka siguruar pamjet e makinës, që bëri transportin e motorit kamikaz, i cili shpërtheu me 900 gramë tritol.

Motori me eksploziv që shpertheu në “Rus” të Shkodrës dhe tetë vetë u plagosen, u porosit në Elbasan.

Nga atje u transportua me këtë makinë tip furgon, i cili u bllokua gjatë operacionit natën e shkuar në Elbasan.

Nga verifikimet makina rezulton me dokumenta të rregullta dhe i përket një personi, i cili ndodhet në Itali.

Ditën e atentatit, nga mjeti një person zbriti motorin këtu në lagjen “Rus”.

Aty ku ndodhi shpërthimi i fuqishëm dhe shenjestra mendohet biznesmeni Lulzim Kulla, aktualisht në spital.

Simon Shkreli: “Automjeti është parë dhe është pikasur nga kamerat e sigurisë, i cili ka ardhur nga kjo anë dhe këtu afër është ndaluar për të zhvendosur nga automjeti motoçikletën dhe për ta vendosur pak metra më tutje, ku dhe ka ndodh shpërthimi”.

Drejtori i Policisë së Shkodrës, Gjovalin Loka, në një konferencë për mediat, njoftoi ndalimin e tre autorëve të dyshuar për atentatin. Ata janë Endri Çopja, 29 vjeç, Argel Lulaj, 31 vjeç dhe bashkëpunëtori i tyre, Serxho Teta 24 vjeç, të gjithë nga Elbasani.

Simon Shkreli: “Më hapjen e serverave të kamerave të sigurisë të këtij objekti, pronë e biznesmenit Lulzim Kulla, kanë identifikuar kanë identifikuar automjetin nga i cili është hequr dhe zhvendosur motoçikleta me lëndën plasëse”.

Mëngjesin e kësaj të enjte, të dyshuarit u dërguan në masa të larta sigurie në drejtorinë e Policisë së Shkodrës. Në operacionin për ndalimin e tyre, morën pjesë dhjetëra Forca Speciale, forcat RENEA, që drejtoheshin nga drejtues të Krimeve të Rënda të Policisë së Shtetit dhe drejtues të Prokurorisë së Shkodrës.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e tyre u sekuestruan disa celularë, 4 automjete, 2 nga të cilat janë përdorur nga autorët ditën e ngjarjes, 6 000 euro, tre maska dhe fishekë luftarake.

Gazetar i ABC News, Shkodër: Simon Shkreli

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!