Presidenti i vendit Ilir Meta reagoi ashpër ndaj mazhorancës e cila me 86 vota vendosi të ndryshojë ligjin për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Sipas ndryshimeve të fundit ligjore, Meta ka afat 10 ditë për të thirrur në ceremoninë e betimit, një anëtar të Gj. Kushtetuese, në të kundërt anëtari mund ta çojë betimin me shkrim.
Në një konference të jashtëzakonshme për shtyp, Meta tha se nuk ka për ta pranuar kurrë këtë ligji, ndërsa paralajmëroi se do të jetë personalisht në tryezën e Komisionit të Venecias për këtë çështje. Sipas tij, kjo është tentativë për grusht shteti.
“Votimi i këtij ligji është veprim mafioz që Rilindja tenton të vendosë në kontroll politik Gj. Kushtetuese. Për këtë ligj, mazhoranca kishte ftuar dy muaj më parë Komisionin e Venecias, por e votoi pa pritur opinionin e Venecias. Kjo është fyerje për ambasadorët dhe për vetë Venecian”, tha Meta.
Deklarata e Presidentit:
Vetëm disa orë përpara se të zhvillonte takimin me delegacionin e Komisionit të Venecias në datën 12 shkurt, Parlamenti voton në errësirë të plotë projektligjin për organizimin e Gjykatës Kushtetuese. Përmbajtja e këtij ligji dhunon në mënyrën më flagrante nenin 129 në Kushtetutës.
Votimi i këtij ligji është një tjetër atentat i rëndë i Kushtetutës.
Ky ligj synon vendosjen e këtij procesi nën kontrollin politik të Rilindjes. Duke dhënë mesazhin se çdo emërim në këtë gjykatë do të kalojë vetëm nëpërmjet testit të besnikërisë politike. Kjo nuk do të pranohet kurrë nga Presidenti. Është një fyerje shumë e rëndë që i bëhet institucioneve, ambasadorëve dhe Komisionit të Venecias në veçanti.
Si President i kërkoj ndjesë Komisionit të Venecias që u keqpëdor në këtë mënyrë nga mazhoranca në funksiom të realizimit final të grushtit të shtetit.
Nuk do të pranoj instalimin e grushtit të shtetit përmes ndërrimit antikushtetues të shtetit në PPP. Konfirmoj se do të marr pjesë në seancën plenare të Komisionit të Vencias ku do ti njoh me fakte edhe më të rëndë të përpjekjes së realizimit të një grushti shtetit në këtë vend. /abcnews.al