Gjykata për Krimet e Rënda përfundoi shqyrtimin gjyqësor ndaj 11 personave të akuzuar për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha, në Qershor të vitit 2015 në Lazarat. Seanca u shoqërua me debate dhe akuza të forta nga të pandehurit. Shkak u bë dëshmia e psikologes që ka marrë pjesë në pyetjen e tre prej tyre, të mitur në momentin e arrestimit.
Në një seancë të tensionuar, Gjykata për Krimet e Rënda i dha fund shqyrtimit gjyqësor ndaj lazaratasve të akuzuar për vrasjen e oficerit të policisë Ibrahim Basha. Për vrasjen e ndodhur në Qershor të vitit 2015 në Lazarat akuzohen 11 persona, tre prej të cilëve të mitur në kohën e ngjarjes. Ajo që ndezi gjakrat ishte dëshmia e psikologes Loreta Mamani, e cila ka qenë e pranishme gjatë pyetjes së tre të miturve, Elson Kazma, Xhulio Malo dhe Oltion Proko.
Pas prangosjes së tyre në ambientet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër. Gjatë gjykimit të pandehurit kanë pretenduar se janë dhunuar nga policia pas arrestimit dhe se nën presion psikologjik janë detyruar të nënshkruajnë deklarime, pa i lexuar më parë ato.
Nga tavolina e dëshmitares Mamani tha se nuk kishte konstatuar dhunë fizike dhe as psikologjike tek tre të miturit. “Nuk konstatova dhunë tek ta. Asnjëri prej tyre nuk më shfaqi një pretendim të tillë”, tha dëshmitarja.
Kaq mjaftoi që i pandehuri Oltion Proko të shpërthente në fyerje të rënda në drejtim të saj dhe prokurorisë. Tërheqjes së vemendjes nga gjykata ai iu përgjigj: “Kjo mashtron. Më keni futur në burg që 16 vjeç. Më ndatë nga familja, nga studimet, nga shoqëria. Mua më shkoi jeta në burg”.
I pandehuri Elson Kazma pretendoi se psikologia nuk kishte qenë prezente gjatë marrjes së tij në pyetje. Me një gjuhë të tensionuar, duke iu drejtuar gjykatës, ai tha se “Ne na e kanë dhënë vendimin që në komisariatin e Gjirokastrës”.
Ndërsa i pandehuri Arbion Aliko, një nga të akuzuarit kryesorë, u revoltua teksa po caktohej data e seancës së radhës.
“Ju gati e keni pretencën, u tha ai prokurorëve, jepeni që nesër. Mjafton që ta hamë ne, këtë doni ju”.
Në seancën e radhës, caktuar në 21 Shkurt, prokuroria do të paraqesë pretencën. Procesi ndaj 11 të pandehurit e dosjes “Lazarati 2” nisi nga zero pas shfuqizimit të vendimit për gjykim të shkurtuar në Qershor të vitit 2017./abcnews.al