Erling Haaland shënoi një tjetër gol në fitoren 4-0 të Dortmund përballë Eintracht Frankfurt. Sulmuesi norvegjez është ngjitur në kuotën e 8 golave në kampionat dhe ka vendosur një rekord: askush nuk ka shënuar kaq gola në vetëm 5 ndeshje në historinë e Bundesligës.
19-vjeçari ka dhënë një prononcim për sajtin zyrtar të kampionatit gjerman, aty ku ndalet te rrugëtimi tij dhe objektivat. Haaland po fluturon, por ka edhe fenomene si Kylian Mbappe, që të frymëzojnë për të arritur edhe më lart.
“Gjatë gjithë jetës kam ëndërruar të bëhem futbollist profesionist. E kam ditur gjithmonë që jam i aftë, por rrugëtimi im ka qenë i gjatë dhe i vështirë. Pasi firmosa kontratën time të parë si profesionist, mendova se ishte një arritje fantastike, por nga ai moment nuk jam ngopur më.
Isha shumë i lumtur kur fillova të luaj dhe të shënoj me Salzburg. Më pas sheh djem si Kylian Mbappe dhe e kupton që ekziston një nivel edhe më i lartë për t’u arritur. Ja pra, objektivi im është që të bëhem një nga futbollistët më të mirë në botë“, deklaron Erling Haaland. /abcnews.al