Ligji për Holokaustin, presidenti polak injoron Izraelin dhe SHBA-në

schedule20:41 - 6 Shkurt, 2018

schedule 20:41 - 6 Shkurt, 2018

Presidenti i Polonisë ka deklaruar se do ta firmosë ligjin për Holokaustin, i miratuar më herët nga Parlamenti, por i kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli. Sipas kreut të shtetit, ky ligj do të shmangë paragjykimet për rolin e Polonisë gjatë Luftës II Botërore.

Presidenti i Polonisë ka deklaruar se do ta firmosë ligjin kontradiktor për Holokaustin, pavarësisht protestave të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara. Andrzej Duda ka mbrojtur ligjin në fjalë, që konsideron ilegale çdo akuzë që mund të ngrihet ndaj Polonisë për bashkëpunim me kriminelët nazistë të luftës, gjatë pushtimit.

Qeveria polake ka thënë se përmes draftit synohet t’i jepet fund fajësimit që i bëhet vendit për masakrat e kryera. Nga ana e tij, Izraeli është i shqetësuar se ligji mund të deformojë të vërtetën mbi rolin e disa polakëve dhe ka shprehur shpresën se Polonia do ta amendojë atë.

Gjithashtu, shteti hebre druhet se në këtë mënyrë të mbijetuarit e Holokaustit mund të përballen me akuza penale për dhënien e dëshmive që inkriminojnë polakët. Por, në një fjalim të mbajtur këtë të martë, presidenti Duda ka deklaruar se ligji mbron interesat e Polonisë, dinjitetin e vendit dhe të vërtetën historike.

“Ai do të krijojë mundësinë që bota të na gjykojë drejt, që ndaj shtetit dhe popullit tonë të mos thuhen shpifje”, ka thënë Duda. Ai ka bërë me dije se, krimet kundër hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore u kryen në mënyrë individuale nga polakët dhe jo nga qeveria e atëhershme./abcnews.al