Të dielën në orën 13:00, Shkëndija e Tetovës luan në transfertë kundër Akademia Pandev, një sfidë ku përplasen vendi i dytë dhe vendi i tretë në renditje. Kjo sfidë, përcakton shumë dhe kush do të jetë ekipi që do të ndjekë deri në fund kryesuesit e Vardarit.
Duke marrë parasysh rëndësinë e kësaj sfide, Akademia Pandev është munduar të shfrytëzojë në maksimum faktorin fushë përballë kuqezinjve të Gjokës, madje janë gati të marrin dhe gjobë, vetëm që të mos i lejojnë tifozët e Shkëndijës të jenë në stadium. Pas këtij vendimi të klubit, kanë reaguar tifozët e Shkëndijës, Ballistët.
Reagimi i tifo-grupit Ballistët:
BALLISTËT NUK LEJOHEN TË UDHËTOJNË NË STRUMICË!
Entuziazmi i madh që na ka kapluar të gjithë neve, për ta mbajtur titullin e kampionit në Tetovë, po na e ‘zbeh’ vendimi i klubit të futbollit ‘Akademija Pandev’ të cilët nuk na pranojnë si tifozë mysafir në stadiumin e Strumicës.
Ky vendim qesharak, nuk do të ndalojë ekipin tonë që të rikthehet fuqishëm në gjysme-sezonin e ligës futbollistike të Maqedonisë Veriore 2019-2020.
Tifo-grupi ynë, bën hapur thirrje deri tek përgjegjësit e klubit të Shkëndijës, që tifozët mysafir të cilët do të dëshirojnë të udhëtojnë në Stadiumin e qytetit të Tetovës, t’ju jepet e drejta e tyre si tifoz mysafir që të jenë prezent në stadium, kështu që kualiteti i futbollit në vend të ngrihet sa më lart dhe të arrihen hapat e duhura bashkë me klubin tonë KF Shkëndija.
KAMPIONI PO RIKTHEHET, BASHKË ME TË EDHE BALLISTËT./abcnews.al